‘Policët lejuan kultivimin e kanabisit’/ Raporti i SHÇBA: 474 oficerë të korruptuar brenda vitit

Sipas një raporti të fundit të SHÇBA, shumë policë janë të përfshirë në raste korrupsioni, abuzim me detyrën dhe përfshirje në kultivimin e kanabisit.

Për vitin 2019, 474 oficerë janë dërguar në prokurori, nga 265 oficerë të përfshirë një vit më parë,  pra 78% më shumë.

Sipas Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, oficerët e policisë janë shpesh të përfshirë edhe në kultivim kanabisi.

Për vitin 2019 janë zhvilluar 4 operacione, ku oficerë policie kishin lejuar kultivimin e rreth 20.000 bimëve kanabisi.

Shpesh policët u japin garanci trafikantëve të drogës duke i favorizuar për kultivimin e hashashit, kjo nëpërmjet korrupsionit, theksohet në raport.

Sot qytetarët kanë më shumë ankesa për Policinë Rrugore, policët e rendit, policët e kufirit por edhe ata që merren me hetimin e krimeve, siç dallohet edhe në këtë grafik.

Raporti thekson se sot qytetarët kanë ankesa për mosveprimin e policisë, sjellje jo etike, vendosje pa të drejtë e gjobave dhe shkelje të procedurave të punës, ku Tirana mban peshën kryesore.

SHÇBA ngre alarmin edhe për mosregaimin në kohë të policisë, kur qytetarët telefonojnë sallën operative. Nga monitorimi i sallës ka rezultuar se rreth 27% e telefonatave që vijnë nga qytetarët, policia reagon me vonesë apo nuk ka reaguar fare për disa ngjarje.