Ndryshimet kushtetuese pa konsensus/ Përfundon takimi midis Bashës dhe ndërkombëtarëve në Selinë Blu

Ka përfunduar takimi në Selinë Blu midis kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe ambasadorëve Yuri Kim dhe Lugi Soreca.

Takimi mësohet se ka zgjatur vetëm pak minuta.

Fokusi i bisedës mësohet se kanë qenë ndryshimet kushtetuese të miratuara nga maxhoranca ditën e sotme në Kuvend pa konsensusin e opozitës, për hapjen e pjesshme të listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Basha reagoi ashpër pas këtyre ndryshimeve, ndërsa tha se ato nuk janë të detyrueshme për opozitën.

“Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit e 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për opozitën e aq më pak për qytetarët.

Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi edhe një herë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret“, është shprehur më herët gjatë ditës së sotme Basha.

Ndërkohë, Ambasada e SHBA u shpreh e keqardhur që ndryshimet kushtetuese u bënë pa konsensusin e opozitës jashtëparlamentare, ndërsa i bëri thirrje këtyre të fundit që të vijojnë pjesëmarrjen në Këshillin Politik.