Bylykbashi: Koalicionet dhe listat e hapura funksionojnë pa asnjë problem

Opozita e cilëson gënjeshtër dhe qëllim tinëzar të kryeministrit Edi Rama idenë se listat e hapura nuk mund të funksionojnë me koalicionet parazgjedhore.

Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi tha para mediave se koalicionet dhe listat e hapura funksionojnë pa asnjë problem me njëra-tjetrën dhe se është vetëm çështje e hartimit të fletës së votimit.

“Kjo është një nga gënjeshtrat e Edi Ramës në gjithë këtë përpjekje. Koalicionet dhe listat e hapura funksionojnë pa asnjë problem me njëra – tjetrën. Koalicioni që përdorim sot është një formë liste e hapur për partinë. Zgjedhësi përcakton me votën e tij. Është e njëjta gjë që po përpiqemi të bëjmë me këtë propozim që me listat e hapura zgjedhësit të përcaktojnë se sa vlen secili kandidat".

"Rama përpiqet të bëjë të kundërtën që t’u heqë mundësinë zgjedhësve të përcaktojnë se sa është e fortë një parti".

"Zgjedhësit kanë mundësi të votojnë e caktojnë partinë dhe në të njëjtën fletë votimi kur është kandidati i asaj partie. Çdo parti e koalicionit del me emër të veçantë dhe vota që hidhet përcaktohet për cilën parti shkon dhe zgjedhësi zgjedh kandidatin".

"Rama në padijen e tij, por edhe qëllimin e tij tinëzar, përdor këtë lidhje logjike me një qëllim: për të hequr koalicionet. Teknikisht çështjet janë të zgjidhshme, është vetëm çështje e hartimit të fletës së votimit”, deklaroi Bylykbashi.