Linjë e plotë në ‘prerjen e pyjeve, transport dhe shitje’, arrestohet punonjësi i policisë. Emri

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka arrestuar një punonjës policie në Dibër, si dhe ka shpallur një person në kërkim, pasi akuzohen për prerje dhe dëmtim të pyjeve.

Në pranga ka rënë polici Thoma Zizi, i cili sipas SHÇBA, ishte pjesë e aktivitetit kriminal të prerjes së drurëve, transportit dhe shitjes së tyre për djegie në Bulqizë, Mat, Peshkopi, Kurbinit, Fushë-Krujë e Lezhë.

Ja njoftimi i plotë:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, në kuadër të një procedimi penal, finalizoi operacionin e koduar “Pyjet e Dibrës”. SHÇBA ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, që vendosi masën e sigurimit personal  “Arrest me burg”, për oficerin e Policisë Th.Z., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e  Policisë Mirditë, (në kohën e procedimit). Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës’’. 

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi B.L., nga Fushë Bulqiza, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “’Falsifikim i dokumenteve’’ dhe  “Prerje e paligjshme e pyjeve”.

Pas disa muaj hetimesh me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore, veprimtaria e kundërligjshme e subjekteve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprat penale.

Mekanizmi i aktivitetit kriminal dyshohet se nis me prerjen e drurëve, transportin, magazinimin e më pas transportin e tyre për shitje për djegie, në Bulqizë, Mat, Peshkopi, Kurbin, Fushë-Krujë e Lezhë. Pjesë e tregtimit të paligjshëm ishte dhe një minierë, që furnizohej me trupa e shtylla druri që shërbenin për procese të aktivitetit të saj.

Hetimet vijojnë dhe materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër.