Operohet mesfushori i Interit, e mbyll para kohe sezonin

Pas një sezoni ku është ndalur shpeshherë në “bokse” për shkak të problemeve fizike, mesfushori uruguaian Matias Vecino ka vendosur t’i nënshtrohet një operacioni për të zgjidhur njëherë e mirë problemet me gjurin, të cilat e kanë shoqëruar vazhdimisht kohët e fundit.

Operacioni është kryer në klinikën private në doktorit Ramon Cugat në Katalonjë, aty ku mesfushori pritet të qëndrojë për disa ditë, para se të nisë fazën e rehabilitimit, ndërsa tashmë sezoni i tij me Interin mund të quhet i përfunduar.

Që prej rifillimit të kampionatit, mesfushori ka luajtur vetëm 20 minuta në transfertën ndaj Veronës, pasi në sfidat e tjera nuk ka qenë fare në dispozicion të Contes dhe me shumë gjasa transferta në “Bentegodi” mund të ketë qenë edhe e fundit e Vecinos me fanellën zikaltër.

Kjo pasi mesfushori uruguaian nuk bën më pjesë në planet e Interit dhe drejtuesit e klubit zikaltër po mundohen t’i gjejnë një sistemim për sezonin e ardhshëm, ndërsa ofertat për të nuk mungojnë, me Tottenhamin në krye të listës.