Rama, mesazh ndërkombëtarëve: Jemi vend sovran, do votoj ndryshimet

Kryeministri Edi Rama tha se është hera e fundit që dialogu politik do të bëhet në zyrat e ambasadave të huaja.

Ai u dërgoi edhe një mesazh ndërkombëtarëve duke theksuar se 'në Kuvendin shqiptar, që është sovran, do të votohet hapja e listave'.

“Ndaj nga kjo foltore dua t'u them të gjithëve miqtve tanë ndërkombëtare, këtu në Shqipëri, në Tiranë, që nga përfaqësuesja e nderuar e SHBA që u vu në dispozicion me shumë bujari dhe me shumë durim në një proces të cështirë, hapi edhe derën e shtëpisë së saj meqë parlaamenti ishte godinë e papranueshme për Lulzim Bashën e ata që e braktisën, përfaqësuesin e nderuar të BE, të Britanisë, së Madhe që edhe personalisht e lehtësuan komunikimin në episodin e fundit, më dëgjoni me vëmendje të fundit: për sa kohë unë do jem kryetar i PS, nuk do bëhet dialog shqip me përkthim dhe nëpër ambasada të huaja. Ashtu sikundër i falendëroj të gjithë dhe zotin David Wadephul që kemi komunikim të vazhdueshëm e të hapur, është shumë më tepër mik me Bashën se sa me mua, por nuk jam xheloz për Lulin, me mjafton që është mik edhe me mua, dua t'u them që Parlamenti i Shqipërisë është sovran e do vendoset siç mendojnë përfaqësuesit e popullit shqiptar këtu në këtë sallë".

Në seancën e sotme në Kuvend, kryeministri Rama tha edhe njëherë se marrëveshja e 5 qershorit, e arritur me opozitën jashtë parlamentit për ndryshimet në kodin zgjedhor, nuk do të preket në asnjë pikë të saj.

“Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të sajën. Mua marrëveshja e 5 qershorit nuk më pëlqen. Për mua, në atë marrëveshje ka një problem të madh, pasi nuk kemi arritur të adresojmë rekomandimin kryesor të OSBE\ODIHR, që është depolitizimi i administratës zgjedhore. Ne kemi qenë në vijueshmëri këmbëngulës dhe madje kemi thënë se ne do ta bëjmë depolitizimin do apo nuk do PD, por ajo që e dallon sistemin demokratik dhe bashkëjetesën pluraliste nga një sistem kur vendos vetëm një partie, duhet edhe të tërhiqesh dhe të pranosh çka nuk të pëlqen për hir të një interesi më të madh".