Tensioni i reflektohet në sy/ Rama u bishtnon pyetjeve dhe gënjen

Kryeministri Edi Rama u shfaq i tensionuar sërish në konferencën për shtyp në krah të Taulant Ballës. Në ndryshim nga konferenca e parë, kur dukej i zymtë, Rama u përpoq që ta kalonte me batuta këtë moment.

Megjithatë, tensioni i lexohej që në sy. Fotot e syve të tij të përgjakur u bënë virale në rrjetet sociale.

Kjo për shkak se i duhej të sulmonte hapur Gjermaninë dhe përfaqësuesin e saj të CDU/CSU, që e kanë kushtëzuar tërheqjen nga ndryshimet kushtetuese me integrimin e vendit.

Gjermania kërkon hapur reformë gjithëpërfshirëse konsensuale, kurse Rama gënjeu duke thënë se kërkohet vetëm reformë.

Po ashtu vazhdoi të gënjente kur tha se ndryshimet kushtetuese bëhen për listat e hapura, kur ato bëhen për ndalimin e koalicioneve. Rama mohoi ndalimin e koalicioneve, por ato ndalohen automatikisht me atë tekst që ka miratuar ai dhe njerëzit e tij.

Nga ana tjetër, Rama u bishtnoi pyetjeve. Ai nuk u përgjigj se përse erdhi në pushtet me koalicion me LSI në vitin 2013 dhe tani i quan koalicionet të pamoralshme, kur Lulzim Basha është pranë pushtetit.

Po ashtu nuk komentoi as videon e vitit 2012, publikuar nga presidenti Ilir Meta, ku shihet Rama teksa thotë se nuk do bëjë kurrë gabimin e kalimit të ndryshimeve kushtetuese me nxitim.

Po ashtu nuk tha se përse nuk u diskutuan listat e hapura në kohën kur diskutohej reforma, pasi edhe atëherë qytetarët ishin në shumicë pro tyre.

Në një orë e gjysmë fjalim e batuta, ai nuk tha asgjë interesante, përveç faktit që u hapi luftë të gjithëve, që nga opozita e deri te ndërkombëtarët.

Nuk iu përgjigj direkt as pyetjes nëse do mbajë përgjegjësi si bllokues i integrimit të vendit.

Në fakt prej dy mandatesh në pushtet të Ramës, integrimi nuk ka bërë asnjë hap përpara.