Edhe Soreca kundër Ramës: Ndryshimet kushtetuese, kundër rekomandimeve të BE

Duket se dita ditës faktori ndërkombëtar po bëhet bllok kundër planit të Edi Ramës që synon të ndryshojë Kushtetutën e vendit pa një konsensus mbarëpolitik dhe vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.

Pas Bundestagut gjerman edhe ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca, i cili është edhe një nga garantët e marrëveshjes së 5 qershorit është deklaruar sot kundër asaj që po bën mazhoranca me Kushtetutën.

Nga Vlora ai ka kërkuar nga palët politike që të vijojnë me zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit, e cila sipas tij u mirëprit nga Bashkimi Europian. Soreca gjithashtu theksoi se ndryshimet kushtetuese janë jashtë rekomandimeve të BE.

“Pa këtë kusht  nuk mund të fillojë konferenca e parë. Ndryshimet Kushtetuese janë jashtë rekomandimeve të BE-së. Duhen bërë konsultimet përkatëse“, tha Soreca teksa ishte duke kryer një vizitë në Kaninë të Vlorës.

"Siç e dini, BE e ka mirëpritur marrëveshjen e 5 qershorit si proces gjithëpërfshirës. Kjo marrëveshje duhet të miratohet shumë shpejt. Ne ftojmë parlamentin ta pranojë.
Reforma Zgjedhore është kusht kyç për hyrjen në BE, kusht pa të cilin Shqipëria nuk mund të fillojë konferencën e parë ndërqeveritare, ky si kusht duhet të përmbushet plotësisht".