Çim Peka: Shenjat janë se mund të pranohet aktakuza ndaj Thaçit

Analisti Çim Peka komentoi për gazetaren Juli Krisafi në SYRI TV marrjen në pyetje në Hagë të presidentit kosovar, Hashim Thaçi.

Peka tha se ishte një portret i zymtë i presidentit Thaçi kur doli pas marrjes në pyetje.

Duke komentuar deklaratën e Thaçit “nesër do të shkoj, por nuk e di kur do të kthehem’, Peka tha se ‘nga kjo, nuk përjashtohet asnjë variant, as mundësia e pranimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale;.

“Një pranim i saj do çonte automatikisht në ndalimin e presidentit. Presidenti po intervistohej nga paragjyqtari. Tani është Gjykata Speciale që po vendos për fatin e Hashim Thaçit. Shenjat janë që mund ta pranojë aktakuzën,” tha Peka.

Edhe Peka tha se në Hagë shkoi presidenti Thaçi dhe jo qytetari Thaçi. Ai solli në vëmendjen shembullin e Ramush Haradinajt që u dorëhoq nga posti i kryeministrit para se të shkonte në Hagë.

“Haradinaj dha dorëheqjen duke deklaruar se nuk mund të dërgoj kryeministrin e Kosovës në Gjykatën Speciale. Nuk e çova herën e parë, nuk do e çoj as herën e dytë. Sot nuk shkoi në Hagë qytetari Thaçi, por shkoi presidenti Thaçi,” tha Peka.

Sipas tij, me vizitat e fundit nëpër varre dëshmorësh, “Thaçi po mundohet që ta unifikojë akuzën ndaj tij si akuzë ndaj UÇK-së”, në kohën kur Haga dhe aktorët e tjerë të huaj dhe vendas po thonë se kjo është aktakuzë personale dhe jo ndaj UÇK-së.