'Murrizi & co' ndryshojnë mendje, kanë një propozim të ri

Pavarësisht nga qëndrimi i prerë i ambasadës së SHBA dhe opozitës së bashkuar, se në Kuvend duhet të kalojë vetëm marrëveshja e arritur në 5 Qershor në Këshillin Politik, mazhoranca dhe e ashtuquajtura `opozitë parlamentare`, po ecin përpara.

Kështu, Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve është mbledhur paraditen e sotme për të miratuar nen për nen ndryshimet në Kushtetutë, të cilat do të ndalojnë koalicionet dhe hapin listat zgjedhore.

Por gjatë diskutimeve papritur nga 'opozita parlamentare' është kërkuar që të ndryshojë edhe pragu për të cilin më herët kishin rënë dakord. Sipas deputetit Korab Lita, pragu 5% dhe ndalimi i koalicioneve nuk është demokratik ndaj ai duhet ulur deri në 2%.

Menjëherë pas kësaj, propozimi i tij u mbështet njëzëri edhe nga Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari.

Në këtë mënyrë, opozita parlamentare është tërhequr nga qëndrimi fillestar për ta rritur pragun e hyrjes në Parlament nga 3% në 5%. Qëndrimi i tyre vjen pas këmbënguljes së mazhorancës për të hapur listat zgjedhore, gjë e cila do të ndalonte edhe koalicionet para zgjedhjeve.

Nga ana tjetër Klotilda Ferhati nga PS deklaroi se pragu 2% i duket i ulët, por kjo duhej diskutuar.

“Morëm një propozim tjetër në fillim. Të ulemi të gjithë bashkë si relatorë dhe ekspertë t’i diskutojmë pse mbërritëm në këtë shifër dhe jo në një tjetër. Të mblidhemi të 4 relatorët dhe t` ja paraqesim me shkrim formulën finale anëtarëve të komisionit“, tha ajo.