Rizgjidhet Presidenti konservator i Polonisë, Duda

Presidenti aktual i Polonisë, Andrzej Duda e ka mundur me rezultat të ngushtë, sfiduesin Rafal Trzaskowski në votimet presidenciale të së dielës.

Komisioni Kombëtar Zgjedhor tha që z. Duda kishte fituar 51.2% të votave.

Kjo është  fitorja më e ngushtë e zgjedhjeve presidenciale në Poloni që nga fundi i komunizmit në 1989.

Një nga çështjet kryesore të zgjedhjeve ishte e ardhmja e marrëdhënieve të tendosura të vendit me Bashkimin Evropian.

Z. Duda është një konservator,  aleat me qeverinë e udhëhequr nga partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS), ndërsa Z. Trzaskowski është kryebashkiaku liberal i Varshavës.

Fitorja e Z. Duda pritet të çojë në reforma të tjera të diskutueshme në gjyqësor dhe kundërshtim të vazhdueshëm ndaj abortit dhe të drejtave të homoseksualëve.

Gjatë fushatës z. Duda u kritikua pasi ai tha se të drejtat e LGBT ishin një "ideologji" më shkatërruese sesa komunizmi.