Horrori vazhdon...

Mendoni pak një njeri që ju as nuk e njihni, por dini që ai ka humbur dy të afërm në një akt vetëflijimi ende të panjohur se nga çfarë u shtynë.

Në këtë tragjedi ai ndërkohë shpreson që e mbijetuara Blerta të kthehet mendërisht dhe fizikisht. Ky njeri së bashku me të tjerët, pasi humbi Anisën dhe Zhanetën, i drejtohet sërisht autoriteteve.

Veç dhimbjes, ai është i ngarkuar me një pako plot me prova që autoritetet, pra edhe policia edhe prokuroria nuk i morën të plota nga tmerri që panë e kaluan në banesën e familjes Josifi. Nga neglizhenca. Ose sido që të quhet është e pafalshme

Prova që duhet të ishin marrë seriozisht, nëse shteti shqiptar ka ndërmend të hetojë seriozisht nëse ka apo jo sekte që influencojnë në mendjen e qytetareve dhe i deformojnë derisa shkojnë tek thrilleri.

Prova që administrohen një javë me vonesë dhe kur ndërkohë java iku me burokracira, asnjë i pyetur asnjë veprim hetimor, asnjë kontroll kamerash edhe pse qytetaret vazhdojnë të më shkruajnë në Facebook duke më vënë ne dijeni: ‘Zhani shpërndante fletushka deri në fund të 2018 pranë unazës së re... Zhanin e kemi pare tek Selvia... ‘. E të tjera.

Dua të di çfarë veprimesh konkrete ka kryer policia veç këqyrjes së banesës? Zero veprime. Çfarë veprimesh ka kryer prokurori? Zero veprime, asnjë kërkesë për përgjim ... asnjë kontroll sallash të dyshimta .. zero, zero, zero.

A nuk do quhej e rëndësishme për hetimin, broshura që e vetëdorëzoi vetë i afërmi ku gratë mësohen si te parandalojnë sëmundje e te vetëmjekohen?

A nuk do ishte po aq i rëndësishëm emri Cinztanza ... nga Holanda bashkangjitur dhe numri i saj i telefonit?

A nuk do ishte i rëndësishme fotografia e Anisës se bashku me gjashtë persona të paidentifikuar?

Blloku i shënimeve 'Për Blertën nga ANI’?

Po kartëvizita e një E. C., i cili është lider shpirtëror në një vend kulti në Tiranë?

Shënimet Jeharah Shammah Zoti im?

Po copat e letrave të shkruara me laps si për shembull; 'Prit është Refia në banjë ... ma hapma derën kur të mundesh ose e hap unë vetëm me thuaj ... hapma çezmën ... hajde ... me duhet të rrish edhe një orë aty se këta tek Teoja janë aty... ?’

Ka një sërë gjurmësh që gratë e vdekura dhe e mbijetuara kanë lënë. Sot mbush një javë nga zbulimi i këtij horrori dhe ende nuk ka asnjë emër. Paaftësi për institucionet kur familja vazhdon të dorëzojë prova dhe ne ende nuk e dimë si quhet ky sekt që të çmend dhe të vret.

Vazhdoni flini, me atë gjumin që duhet t’ju ishte prishur para shume vitesh kur fëmijë e adoleshentë i jepnin fund jetës dhe kur shumë të tjerë ndërronin jetë në duar mjekesh pasi nuk pranonin ndihmë.

Çfarë duhet të ndodhë ende?