Fatura 2 miliardë euro në arbitrazh/ Heshtja e Ramës për shkresën ’bombë’

Teksa opinioni publik është i shqetësuar për faktin se pavarësisht se buxheti është gropë, borxhet mal dhe kriza ekonomike po e çon vendin në humnerë, qeveria duhet të paguajë edhe 100 milionë euro për gjyqin e humbur në arbitrazh ndaj biznesmenit italian, Françesko Beketi.

Një shumë tejet e madhe për shpatullat e brishta të shqiptarëve. Gjithçka vjen për shkak të një teke të kryeministrit Edi Rama, që vendosi të bëjë shembull një investitor për shkak të medias së tij. Por i vetmi që nuk po flet në këtë kohë, është vetë ai, Edi Rama.

Megjithatë ai nuk është shqetësuar për këtë situatë shpërthyese edhe më parë.

Syri.net ka siguruar një shkresë të vitit 2017, që ngre alarmin për situatën e gjyqeve në arbitrazh, për të cilat kërkohet një faturë prej 2 miliardë eurosh. Mes tyre është edhe fatura për Beketin. Shkresa është nënshkruar nga ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Petrit Vasili. Ai reagoi me shkresën e 10 prillit pas një dokumenti  shqetësues të Avokaturës së Shtetit.

“Me anë të shkresës me nr. prot. 43/23, datë 6.4.2017, të Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, Ministria e Drejtësisë është vënë në dijeni të një informacioni konfidencial, aq edhe delikat, sa u përket shifrave shqetësuese që i referohen në këtë material.

Në këtë material jepet informacion i përgjithshëm kryesisht për katër çështje në arbitrazh ndërkombëtar, ku vlera totale e kërkuar nga palët, vetëm për këto katër procese, shkon mbi 2 miliardë Euro.

Disa kontrata të rëndësishme, për të cilat kanë lindur mosmarrëveshje, që janë objekt shqyrtimi nga gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar, janë ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë që sipas komunikimeve me Avokaten e Përgjithshme të Shtetit, ka shumë çështje të tjera në Ministritë e linjës, kur kontratat janë zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga pala shtetërore.

Përpos informacionit bashkëlidhur kësaj shkrese, nga raporti vjetor i Avokaturës së Shtetit, evidentohet se dëmi i shkaktuar shtetit, i përllogarit në vlerë monetare nga çështjet e humbura nga Zyra Qendrore, avokatët e ministrive dhe zyrat vendore, arrin shifrën tepër serioze prej: 8.538.960.128 lekë.

Një situatë e tillë është shumë shqetësuese dhe me pasoja tepër të rënda, të paparashikuara për financat e shtetit dhe pasurinë publike, që kërkon një analizë të thellë për secilin shtetëror më vete,” thuhet në shkresë.

“Kjo situatë kërkon një analizë për nxjerrje përgjegjësie, pasi dëme të tilla financiare, sidomos në rastin e humbjes së proceseve të arbitrazhit, mund të përbëjnë elementë të një vepre penale dhe personat përgjegjës do të duhet të vihen para përgjegjësisë për veprimet apo mosveprimet e tyre, të cilat kanë sjellë dëme të rënda ndaj interesave financiare të shtetit,” thekson shkresa.

“Asnjë proces zgjidhjeje kontrate, ku shteti është palë, qoftë në mënyrë të njëanshme, nuk duhet kurrsesi të lejohet pa konsulencën dhe miratimin paraprak të Avokaturës së Shtetit.

...Për të gjitha kontratat që ka filluar procesi i zgjidhjes, ky proces duhet të ndalet menjëherë dhe çdo veprin në vijim në lidhje me to, duhet të bëhet sipas një plani të qartë, specifik dhe të mirëkoordinuar,” vijon më tej dokumenti.

Në shkresë kërkohet po ashtu që çdo ministri duhet të hartojë plane për zgjidhjen e situatës.

“Është urgjente marrja e masave dhe adresimi i situatës,” thuhet në shkresën, e cila u kalua në heshtje.

Kryeministri edhe sot e kësaj dite nuk ka bërë asnjë transparencë për këtë situatë të rëndë.