Edhe 2 deputetë të tjerë pro marrëveshjes së Reformës Zgjedhore

Deputeti Lefter Maliqi dhe Gjetan Gjetani kanë deklaruar pasditen e sotme për mediat se janë 11 deputetë të opozitës që do të votojnë pro Marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Maliqi u shpreh se ‘jemi shumë të vonuar sa i përket Reformës Zgjedhore.’

Pro Marrëveshjes ka konfirmuar të jetë edhe deputeti Gjetan Gjetani.

Lefter Maliqi: Votat për marrëveshjen janë pro

Një tjetër grup i deputetëve të opozitës parlamentare është shprehur pro marrëveshjes për reformën zgjedhore. Kështu, në një prononcim për mediat, deputeti Lefter Maliqi pohoi se votat për të miratuar këtë reformë janë. Mes të tjerash ai shtoi se opozita në Kuvend nuk është e blerë nga kryeministri Edi Rama.

‘I mbyturi i thotë popullit u mbyt. U bëj thirrje edhe të tjerëve që të mos përdoren. Të dëgjojmë ndërkombëtarët dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Të vijmë sa më shpejt dhe votat janë. 11 deputetë të tjerë do votojnë. Vendi është në krizë dhe me këto pagat e listës është akoma më në krizë. Reforma Zgjedhore është një nga kushtet dhe duhet realizuar. Rama të votojë hapur, nuk ka nevojë për fshehtësi. Ai nuk e përçau dot opozitën reale’, tha ai.

Gjetan Gjetani: Jam pro marrëveshjes së 5 qershorit

‘Jemi pro marrëveshjes. E siguroj Ramën dhe maxhorancës që janë votat. Marrëveshja ka marrë pëlqimin e BE dhe SHBA. Marrëveshja është arritur në ambasadën e SHBA-ve. Pra të gjithë janë pro marrëveshjes. Ndaj i bëj thirrje PS që të kalojë marrëveshjen në Komisionin e Ligjeve’, theksoi ai.

Kështu, shkon në gjashtë numri i deputetëve të opozitës që kanë deklaruar se janë ‘pro’ Marrëveshjes së 5 qershorit, ashtu siç është.