Gazetarja: Pse Merkel e ndau Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vendi i së cilës mori presidencën e BE, në një fjalim në Parlamentin Europian, bëri një dallim mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sa i përket nisjes së negociatave.

Gazetarja e ABC News nga Brukseli, Erisa Zykaj, sqaroi se përse Merkel e ndau Shqipërinë.

“Kancelarja gjermane bën dallimin që në fillim, thotë do angazhohemi në negociata me Maqedoninë e Veriut dhe “nëse është e mundur” edhe me Shqipërinë. Nëse lexohet me vëmendje, për Gjermaninë nuk konsiderohet të hapen negociatat me Shqipërinë për këto 6 muaj. Prandaj përdoret “nëse është e mundur” sepse kushtëzimi që i është vendosur Shqipërisë nga BE është shumë i rreptë”.

“Ne kemi pasur edhe disa lëvizje. Këtë javë janë bërë dy takime. Të hënën ambasadorët e BE. Dhe dje një takim me grupin e punës që merret me zgjerimin. Këtu fillon puna kryesore. Dallimi është te paragrafët për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Deri tani KE vlerëson se është bërë një progres në 6 kushtet e para. I referohet provimit të Reformës Zgjedhore, mbetet të plotësohet kuadri i Gjykatës Kushtetuese, mbetet të plotësohet edhe emërimi i drejtorit të Byrosë së Hetimit, të vazhdohet me rezultate kundër krimit. Shtetet anëtare me metodologjinë e re, nuk mund të mjaftohen me këtë panoramë të KE. Atë që kemi parë deri më tani, sfidohet plotësisht. Sepse metodologjia e re i lejon të gjithë shtetet anëtare të BE që t’i verifikojnë të gjitha vlerësimet e BE. Nuk mjaftojnë më vlerësimet e KE, por duhen edhe vlerësimet e ekspertëve të shteteve anëtare. Ka filluar puna, por a është e vërtetë që do të zbatohet reforma zgjedhore…

Duhet të kemi kujdes, shtetet anëtare nuk ndalen aty, prandaj presidenca gjermane nuk është optimiste për hapje të negociatave këto 6 muaj. Këshilli i lejon vetes të shkojë më tutje të shohë edhe 9 kushtet e tjera”