Dëshpërim dhe zemërim në Beograd

Nga Guy De Launey, BBC

Protestat në shkallë të vogël janë të zakonshme në Beograd. Një opozitë politike e atomizuar, dhe së fundmi një bojkot zgjedhor, nënkupton se qytetarët e pakënaqur duhet të dalin në rrugë që zëri i tyre të dëgjohet.

Por në protesta zakonisht nuk shfaqen policë duke tundur shkopinj gome dhe duke gjuajtur me gaz lotsjellës, teksa protestuesit hedhin gurë dhe u vënë flakën mjeteve të policisë.

Këto skena pasqyrojnë gjendjen e dëshpëruar në kryeqytetin e Serbisë, të shkaktuar pas paralajmërimit të zotit Vuçiç për një izolim gjatë fundjavës.

Disa protestues shprehin zemërim për heqjen e shpejtë të kufizimeve të qeverisë për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të muajit të shkuar.

Dhjetëra-mijëra njerëz ndoqën ndeshjet e futbollit dhe klubet e natës i rihapën, duke sinjalizuar se kishte rifilluar jeta normale.

Partia në pushtet mori shumicën masive që donte, por shkalla e infeksionit Covid-19 është rritur që nga ajo kohë.

Autoritetet kanë vendosur barrikada rreth Asamblesë Kombëtare për të parandaluar përsëritjen e mbrëmjes së shkuar. Por protestuesit ka të ngjarë që të rikthehen.