Vuçiç kërcënon me izolim/ Beograd shpërthen në protesta, qytetarët sulmojnë parlamentin

Mijëra njerëz protestuan kundër njoftimit të presidentit serb për një izolim të mundshëm të vendit pasi shteti ballkanik po përballet me një valë të re infektimesh me Covid-19.

Policia përdori gaz lotsjellës mbi mijëra njerëz, ndërsa këta të fundit bërtisnin "Dorëheqje! Dorëheqje! ".

Ata u mblodhën para ndërtesës së parlamentit në qendër të Beogradit, ndërsa disa prej tyre mundën të futeshin në ndërtesë ku pati edhe përplasje me policinë.

Më herët, Presidenti Aleksandar Vuçiç e quajti situatën e virusit në kryeqytetin serb të Beogradit "alarmante" dhe "kritike" pasi spitalet e qytetit kishin afruar kufijtë e tyre të aftësive.

Ndërkohë në protestë ka dalë edhe opozita, e cila i është bashkuar protestës së qytetarëve. Një prej pretendimeve të opozitës është edhe manipulimi i zgjedhjeve të fundit nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiç.