‘Tirana nuk e vlerësoi si duhet Kukësin’

Pavarësisht rezultateve të arritura në ndeshjet e fundit, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muça, është shprehur se bardheblutë nuk rrezikojnë shumë nga dy ndeshjet e fundit, pasi kanë etje për të bërë mirë.

Në analizën e tij në “Rubrika Sportive”, Muça është shprehur se Tirana nuk e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen me Kukësin, duke shtuar se ndikuan edhe lëvizjet e shumta në formacion.

Këtë vit ka etje te Tirana, pavarësisht oshilacioneve të fundit. I ka të gjitha mundësitë ta kthejë lojën. Ndeshja me Bylisin dhe kjo me Kukësin nuk ishin shumë të mira. Deklaratat e presidentit se në këto dy ndeshje e mbyllim kampionatin nuk ndikojnë mirë. Edhe lëvizjet në formacion, sipas mendimit tim ndikuan shumë. Nuk ishte nevoja të bëheshin shumë ndryshime. Duhet që Tirana të mendonte për kundërshtarin që ka përballë, i cili është ndryshe nga të tjerët. Nuk mund ta përgatisë dhe të luajë njësoj si me Ballshin ashtu edhe me Kukësin. Megjithatë mendoj se Tirana i ka të gjithë mundësitë të bëjë mirë”, u shpreh Muça.