Peka i kujton Hajdarit/ Azemi nuk doli kurrë kundër PD sa ishte në opozitë

Debat mes gazetarit Çim Peka dhe deputetes Rudina Hajdari në studion e "Çim Peka LIVE".

Shkak u bë një koment i shkurtër i moderatorit të emisionit, i cili i kujtoi Hajdarit se, ndryshe nga ajo, babai i saj, i ndjeri Azem Hajdari, edhe pse ishte përjashtuar disa herë nga partia që themeloi vetë, kurrë nuk mori vendime kundër saj kur ajo ishte në opozitë.

Komenti i Pekës solli një irritim të Hajdarit, e cila u shpreh se ajo nuk është kundër PD por kundër kryetarit, që sipas saj, e ka mbyllur partinë.

Debati në studio:

Peka: Në momentin që vendosët të mos digjnit mandatin shumëkush ju krahasoi me babain tuaj fisnik dhe në fakt edhe një gjeni politik sepse Azem Hajdari disa herë ka marrë vendime ndaj partisë që ai themeloi vetë, madje edhe është përjashtuar. Unë nuk kam komentuar për një vit rresht asnjë veprim tuaj politik edhe pse kam qëndrime politike të njohura tashmë, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse po të komentoja do tju gjykoja si Rudina Hajdarin dhe jo vetëm si vajzën e Azem Hajdarit. Megjithatë ka një moskorrektësi në veprimet tuaja në krahasim me ato të Azem Hajdarit. Azem Hajdari ka marrë vendime kundër PD vetëm kur PD ka qenë në pushtet. Por kurrë nuk e ka marrë një vendim kundër PD në opozitë, në momentin e saj më të dobët. Në momentin kur PD ishte në luftë për ekzistencë, në vitin 1997, Azem Hajdari i përjashtuar, u kthye në krah të Sali Berishës dhe militantëve të opozitës të sulmuar me armë vetëm për ta ndihmuar që ajo të mbijetonte dhe mundësisht të rikthehej në pushtet. 

Në të kundërt, Rudina Hajdari, vendimin e parë politik e ka kur PD ishte në opozitë dhe këtë herë jo e sulmuar me armë, por me para droge, me para krimi e me lobingje që ju ndoshta i dini edhe më mirë se sa unë. 

A mendoni se, ky është momenti i duhur për të marrë një vendim për hir të bindjes apo duhej të mendoheshit dy herë edhe për shkak të trashëgimisë politike? Pra, ngjashmëria në këtë rast me veprimet e Azem Hajdarit nuk qëndron.

Rudina Hajdari: Ky është opinioni juaj

Çim Peka: Është fakt

Rudina Hajdari: Nuk është absolutisht fakt. Madje pas një viti është e qartë se opinioni publik, bashkë me ju, ndoshta ju nuk e pranoni dot publikisht, por edhe ju besoj se i qëndroni tezës se braktisja e mandateve ishte një rrugë e gabuar e PD dhe nuk duhej ta kishte bërë këtë rrugë. E dyta, nëse do të më krahasoni me tim atë... Zoti Peka, kur më bëni pyetje për tim atë dhe më thoni që unë nuk i ngjaj, kjo është një akuzë shumë e rëndë.

Çim Peka: Unë nuk e thashë këtë. Thashë veprimi politik nuk është i ngjashëm.

Rudina Hajdari: PD kur u themelua ishte antiteza e PPSH. U ndërtua si një parti që luftonte Partinë Komuniste. Sot PD çfarë lufton? Ndërkohë me Edi Ramën Lulzim Basha është ulur disa herë, ndërkohë që PD është braktisur nga shumë demokratë dhe në atë parti nuk ka ngelur absolutisht asnjë njeri. Ajo parti ka ngelur jetime. Ajo parti nuk mbështetet nga demokratët. Nëse ju thoni se unë nuk e mbështes PD, kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk mbështes një kryetar që e ka mbyllur PD.