Kriza/ Rishikohet buxheti, por fondet nuk shkojnë për shëndetësinë

Një deficit prej mbi 1 miliard eurosh dhe një rënie ekonomike prej 5,7% dhe rritje e borxhit publik në nivelin e mbi 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, janë këto pasojat e krizës së Covid-19, të parashikuara nga Ministria e Financave.

Përmes një akti normativ, qeveria ka rishikuar edhe njëherë planin e saj të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Kriza e konsumit, largimet masive nga puna dhe ecuria e dobët e biznesit kanë bërë që të hyrat në buxhet të rishikohen me rreth 350 milionë euro më pak.

Ndërsa nga krahu tjetër, ai i shpenzimeve, Financat kanë planifikuar 480 milionë euro shpenzime më shumë se fillimi i vitit dhe 170 milionë euro më shumë nga rishikimi i fundit i buxhetit në muajin prill.

Por, pavarësisht rritjes së shpenzimeve qeveritare, që e çojnë deficitin buxhetor dhe borxhin në nivelet më të larta historike, rritja më e madhe e fondeve nuk shkon për shëndetësinë dhe politikat sociale, por për projektet në infrastrukturë, raporton A2.

Fondet për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë rriten me 7.6 miliardë lekë, ndërsa për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale rriten me vetëm 1.3 miliardë lekë. Po ashtu, edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka një rritje të shpenzimeve me 3 miliardë lekë. Ndërkohë, dikasteri me rritjen më të madhe të fondeve është Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ku pjesa më e madhe e buxhetit të shtuar prej 9.2 miliardë lekësh do të shkojë për të subvencionuar skemën e pensioneve, pagesat e papunësisë dhe programin e strehimit.

Në fund të vitit, stoku i borxhit publik pritet të arrijë në 1,27 trilionë lekë.

Preçi: Fondet të shkojnë për përballimin e krizës

Paratë e buxhetit në këtë moment nuk duhet të shkojnë për investime infrastrukturore, por për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia.

I këtij mendimi është ish-ministri i Ekonomisë Zef Preçi, sipas të cilit shpenzimet buxhetore duhet të përqendrohen kryesisht në sektorin e shëndetësisë për të mbuluar nevojat emergjente, si dhe në ndihmë të bizneseve e individëve të prekur nga koronavirusi.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi qeveria duhet të bëjë kujdes me menaxhimin e borxhit publik, pasi në të kundërt kanalizimi i fondeve në projekte jo prioritare do të rrezikonte ekonominë.

Teksa buxheti dhe ekonomia gjenden në vështirësi, Zef Preçi sheh si domosdoshmëri një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, pasi prania e këtij institucioni sipas tij do ta bënte vendin më të besueshëm në tregjet e huaja.