Doli nga burgu për t'i shpëtuar COVID-19, infektohet duke shijuar lirinë!

Në Fier numri i të infektuarve me COVID-19 vazhdon që të jetë i lartë, duke shkuar ditën e sotme me një rast të ri të shtuar në 47.

Mësohet se një nga rastet e zbuluara së fundmi me virus në këtë qytet është një i burgosur, i cili kishte dalë nga institucioni i vuajtjes së dënimit në Fier gjatë kohës së pandemisë për të bërë karantinën në banesën e tij.

Ndërkohë që pritej që ai të rikthehej për të vuajtur dënimin, rezultoi i infektuar nga koronavirusi.

Institucionet dyshojnë se i burgosuri duke shfrytëzuar në maksimum lirinë e përkohshme, ka pasur kontakte të shumta ndaj dhe zinxhiri i infeksionit mund të jetë i madh.

Institucioni i Shëndetit Publik i këtij qyteti vazhdon të bëjë hetimin dhe gjurmimin e kontakteve të tij.