Trajtimi i virusit nga Koreja e Veriut ishte 'një sukses llamburitës”

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, e ka vlerësuar trajtimin  që vendi i tij i bëri pandemisë së koronavirusit si "një sukses llamburitës”.

Në një takim të Byrosë politike, ai tha se vendi "kishte mbajtur një situatë të qëndrueshme dhe parandaloi ecurinë e virusit malinjë".

Por ai shtoi se vendit ende i duhej të qëndronte në "gatishmëri maksimale ... me sytë çelët në frontin kundër pandemisë".

Koreja e Veriut pohon se nuk ka raste të koronavirusit - megjithëse analistët më të shumtë thonë se kjo nuk ka gjasa.

Sidoqoftë, ky shtet veproi shpejt kundër koronavirusit, duke mbyllur kufijtë e tij dhe duke futur mijëra njerëz në karantinë që nga janari.