Basha në Divjakë: 3 vendimet tona të para në dobi të ekonomisë dhe turizmit

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, postoi një mesazh dhe disa foto pas takimit me operatorët dhe sipërmarrësit turistikë në Divjakë.

MESAZHI I BASHES

Në Divjakë takova sipërmarrës dhe operatorë turistikë, që po mendojnë seriozisht mbylljen e aktivitetit të tyre.

Në çdo resort që vizitova, numri i pushuesve ishte pothuajse zero. Administratorët më thanë se kishin larguar nga puna mbi 50 përqind të punonjësve. Kjo përkthehet në qindra kryefamiljarë pa rrogë dhe mijëra ekonomi familjare në krizë, si asnjëherë tjetër.

Mbyllja e kufijve nga Bashkimi Europian ka sjellë pasoja të rënda, pasi shkaktoi anullimin masiv të prenotimeve nga jashtë. Bizneset në Divjakë kanë zero rezervime për pjesën e mbetur të sezonit turistik.

Ndërsa biznesi po shkon drejt falimentimit dhe qindra vende pune mbyllen çdo ditë, Edi Rama planifikon që 1.2 miliardë euro t'i japë për koncesionin e një rruge fantazëm, Milot-Fier. Kjo rrugë në pjesën më të madhe është ndërtuar gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, por RAMAVIRUSIT i duhet si alibi për t'i dhuruar miliona euro oligarkëve, në turravrapin e fundit korruptiv të një qeverie në ikje.

Ne nuk do të njohim asnjë koncesion apo vendim korruptiv të marrë 12 muaj para zgjedhjeve. Qeveria jonë do të rishqyrtojë ligjshmërinë dhe konfliktin me interesin publik të të gjitha vendimeve që janë marrë.

Taksa 9% për biznesin, heqja e "taksës Rama” për naftën dhe moratoriumi 1 vjeçar për inspektoriatet, do të jenë vendimet tona të para në dobi të ekonomisë dhe turizmit. Këto janë masat e para stabilizuese për të vendosur normalitetin në vend.

Paratë e shqiptarëve nuk do të shkojnë më për oligarkët, për tenderat, koncensionet e PPP-të e tyre, por do të shkojnë për investimeve publike që i shërbejnë ekonomisë, punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve. Paratë që sot shpërndahen në skema korruptive, do të shkojnë tek fermeri, biznesi i vogël, sipërmarrësi i ndershëm, për të zhvilluar dhe promovuar ekonominë dhe turizmin si gjenerator me potencial të madh për zhvillim dhe punësim.