Çfarë përmban drafti i kuadrit të negociatave me Shqipërinë

Sot Komisioni Europian i ka prezantuar Këshillit draftin e kuadrit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, “ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e këtyre dy vendeve drejt Bashkimit Europian. Kemi evidentuar një kuadër konkret për vijimin e negociatave. Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar në shkurt për ta bërë procesin e anëtarësimit më të besueshëm. Pres me padurim diskutimet me vendet anëtare dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me dy vendet kandidate. E ardhmja e tyre në BE është  e qartë dhe jam i sigurt që ata do të vijojnë me reformat në rrugëtimin e tyre, siç kanë bërë deri më tani”.  

Drafti ndahet në tri pjesë, që ka të bëj me principet, procedurat dhe substancën e negociatave. Propozimet parashikojnë një fokus edhe më të madh për reformat e kryera nga dy vendet, duke filluar nga respektimi i ligjit, dhe një përmirësim i kapitujve që do negociohen, që do të mblidhen sipas tematikave.

Komisioni Europian do t’ia prezantojë draftin vendeve anëtare, së bashku me përditësimin e reformave nga dy vendet kandidate.

Pasi vendet anëtare të kenë miratuar draftin, presidenca e Këshillit Europian do t’i paraqesë pozicionin zyrtar të BE-së dy vendeve gjatë konferencës ndërqeveritare, që shënon fillimin zyrtar të negociatave. Kuadri negociator bëhet publik në atë fazë.