Ura më e rrezikshme në Shqipëri do shembet, ja fondi për rindërtimin e saj

Është shpallur vendimi për rindërtimin e urës së Tapizës, e konsideruar si një nga urat me rrezikshmëri të lartë, për shkak se përballon edhe pjesën më të madhe të trafikut duke lidhur rrugën nacionale Tiranë-Fushë-Krujë.

Këshilli i ministrave ka vendosur që fondi i rindërtimit miratuar në buxhetin e vitit 2020 të jetë 151 539 896 (njëqind e pesëdhjetë e një milionë e pesëqind e tridhjetë e nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH.

Po ashtu si njësi zbatuese për rindërtimin e urës është caktuar Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), ndërsa fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave të prokurimit në zbatim të këtij vendimi, do të kthehen në zërin “Fondi për rindërtim”, të buxhetit të shtetit.

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e rindërtimit të urës së tapizës dhe caktimin e autoritetit rrugor shqiptar si njësi zbatuese

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e rindërtimit të Urës së Tapizës, në vlerën 151 539 896 (njëqind e pesëdhjetë e një milionë e pesëqind e tridhjetë e nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH.

Caktimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) si njësi zbatuese për rindërtimin e Urës së Tapizës.

Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i miratuar në buxhetin e vitit 2020, i shtohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Transporti rrugor” për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave të prokurimit në zbatim të këtij vendimi, kthehen në zërin “Fondi për rindërtim”, të buxhetit të shtetit.

5. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.