Socialistët përleshen mes veti në këshillin bashkiak
Është shoqëruar me debate të ashpra mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak Skrapar.
Shkak për debatet e krijuara në mbledhjen e zhvilluar dje në këtë qytet është bërë një propozim i kryetarit të bashkisë, Adriatik Mema për të futur në rendin e ditës miratimin e projekt-studimit për rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar në fshatin Potom, e vetmja shkollë e mesme për të gjitha fshatrat rreth Skraparit.
Sipas kryebashkiakut të Skraparit, Adriatik Mema, godina e gjimnazit është në rrezik shembjeje për shkak të lëkundjeve sizmike që shkaktoi tërmeti i Nëntorit 2019 dhe në këto kushte ajo duhet të rindërtohet.
Mema u ka kërkuar këshilltarëve futjen në rendin e ditës të mbledhjes së radhës të kësaj pike të rëndësishme si dhe restaurimin e një qendre shëndetësore në fshatin Potom që deri në përfundim të ndërtimit të gjimnazit të shfrytëzohet për mësimdhënien e 81 nxënësve.
Mema ka deklaruar në mbledhje që, pas miratimit nga këshilli bashkiak,projekti do ti paraqitet Ministrisë së Arsimit për çeljen e fondit për rindërtimim e shkollës së mesme të bashkuar të Potomit.
Propozimet e kryetarit të bashkisë kanë krijuar debate të ashpra mes këshilltarëve, që edhe pse janë të gjithë të majtë, janë përçarë në dy grupe: në atë të kryetarit dhe në grupin e deputetit Adnor Shameti.
Kundërshtimet e këshilltarëve të PS-së me kryetarin e bashkisë Skrapar kanë sjellë mos dakortësinë për futjen dhe miratimin e këtyre dy propozimeve të kërkuara prej Memës, që i ka cilësuar thjesht kundërshtime të pabazuara dhe thjesht për tu bindur tekave të deputetit.
Kërkesat e kryebashkiakut Mema janë rrëzuar me 8 vota kundër dhe 7 pro.
Sipas kryebashkiakut të Skraparit,A driatik Mema,ky refuzim do të bllokojë fillimin e procesit mësimor 2020-2021 për 81 nxënësit e gjimnazit të Potomit.
Projekti i ndërtimit të shkollës së mesme në fshatin Potom mendohet të kap vlerën e 20 milion lekëve, ndërkohë që restaurimi i Qendrës Shëndetësore Potom dhe përshtatja e saj provizorisht për mësimdhënie kap vlerën e 14 milion lekëve (të vjetra).