Basha: Asnjë vendim i marrë 12 muaj para zgjedhjeve nuk do të njihet nga qeveria ime, pa u rishikuar

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar sot “asnjë prej vendimeve të marra 12 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kurdo që të jenë ato, nuk do të njihet nga qeveria ime pa iu nënshtruar një procesi transparence për të parë ligjshmërinë e vendimeve të marra.

Ndaj, - tha Basha, - i bëj thirrje çdo biznesmeni apo akoma më keq, sekserëve apo pseudobiznesmenëve mos të gënjejnë njerëzit kot, mos të ushqejnë ëndrrat kot që ushqehen sa herë vjen rotacioni i pushtetit, që një qeverie në ikje “t’i kapin ç’a t’i kapin”, sepse çdo vendim i marrë 12 muaj para zgjedhjeve parlamentare, qoftë Vendim Qeverie, qoftë Vendim i Këshillit të Rregullimit të Territorit - si ato që kaluan në dyjavëshin e parë të qershorit - qofshin vendime të Parlamentit apo pseudoparlamentit, do t’i nënshtrohen një rishikimi të plotë e transparent për të parë përputhjen me ligjshmërinë dhe interesin publik.”

Basha foli nga Golemi , ku u takua me Kujtim Roçin, pronarin e një hoteli me pishinë në Golem, në kuadrin e takimeve që po zhvillon javët e funditme bizneset e goditura nga kriza.

“Çdo gjë duket në perfeksion me përjashtim të faktit se nuk ka pushues”, tha Basha në krah të z.Roçi.

Vetë pronari i hotelit shprehet në videon e publikuar nga Basha se kanë falimentuar, se nuk janë në gjendje të paguajnë as rrogat e punonjësve dhe shpresojnë vetëm që të hapet puna.

Basha tha se “situata është dramatike dhe pa asnjë perspektivë.

Me siguri e mbani mend të djeshëm, kur Dhoma Amerikane e Tregtisë, tha se ky vit, ekonomia, është në krizën më të keqe në 8 vite që nuk është shkaktuar vetëm nga COVID. E pikërisht në këtë moment duhet dora e qeverisë, e cila është në arrati dhe ka braktisur sipërmarrjen.

Është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka afruar asnjë paketë ndihmëse për turizmin.

Tani problem është se si do të ecet përpara. Ne si PD e kemi shumë të qartë, se me këtë klimë biznesi, nuk ka biznes që mund të rezistojë. Bzinesmenët më të zotë të botës nuk i rezistojnë dot kësaj situate, jo sipërmarrja jonë që ka 30 vjet që operon apo 20 vjet në kushte disi të pranueshme.

Ku është mbështetja e domosdoshme për ekonominë? Miliona euro taksa kanë mbushur Buxhetin vit pas viti. Të gjitha shtetet kanë hapur arkën dhe kanë dhënë mbështetje për biznesin, industrinë.

Ndërkohë në Shqipëri ndodh e kundërta.  Paratë e taksave shkojnë për 4-5 oligarkë që marrin miliona me një dorë.

Duke parandjerë largimin, kanë filluar të firmosin firmosin lloj -lloj lejesh zhvillimore duke shkatërruar bregdetin, duke u dhënë klientëve të vet leje mbi leje e leje të reja.

Përfitoj nga rasti këtu në Golem që t’u bëj të ditur qytetarëve shqiptarë se asnjë prej vendimeve të marra 12 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kurdo që të jenë ato, nuk do të njihet nga qeveria ime pa iu nënshtruar një procesi transparence për të parë ligjshmërinë e vendimeve të marra.

Ndaj i bëj thirrje çdo biznesmeni apo akoma më keq, sekserëve apo pseudobiznesmenëve mos të gënjejnë njerëzit kot, mos të ushqejnë ëndrrat kot që ushqen sa herë vjen rotacioni i pushtetit, që një qeverie në ikje t’i kapin ç’a t’i kapin, sepse çdo vendim i marrë 12 muaj para zgjedhjeve parlamentare, qoftë vendim qeverie, qoftë vendim i Këshillit të Rregullimit të Territorit - si ato kaluan në dyjavëshin e parë të qershorit - qofshin vendime të parlamentit apo pseudoparlamentit do t’i nënshtrohen një rishikimi transparent për të parë përputhjen me interesin publik.”