Koronavirusi/ OBSH paralajmëron: Më e keqja nuk ka ardhur akoma

BBC

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar se pandemia e koronavirusit nuk është as afër përfundimit.

Tashmë kanë kaluar gjashtë muaj pas shfaqjes së rasteve të para të sëmundjes misterioze të pneumonisë në Wuhan të Kinës.

Në atë kohë ekzistonte frika se do të shihnim një përsëritje të shpërthimit të SARS të vitit 2002 deri në vitin 2004, që vrau 774 njerëz.

Tani, me më shumë se 500 mijë njerëz të vdekur dhe më shumë se 10 milion raste të konfirmuara në të gjithë botën, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se ky është një moment për të reflektuar.

Por ai paralajmëroi se ‘më e keqja nuk ka ardhur akoma’- duke shtuar ‘se me këtë lloj ambienti dhe këto kushte, kemi frikë nga më e keqja’.

Megjithë përparimin në disa vende, ai tha se pandemia po përshpejtohet dhe botës i duhet më shumë rezistencë, durim dhe bujari në muajt përpara.

“Gjashtë muaj më parë, askush prej nesh nuk mund të imagjinonte se si bota jonë- dhe jeta jonë do të zhytej në kaos nga ky virus,” tha dr. Tedros.