Lëvizja e rradhës/ Rama fton liderët e Kosovës në takim, akoma asnjë reagim

Pas krizës që ka shkaktuar në Kosovë akt-akuza e Gjykatës Speciale në adresë të presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK Kadri Veseli, çka solli edhe anullimin e takimit Kosovë-Serbi në Washington, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama planifikon lëvizjen e rradhës.

Burime për Syri.net theksojnë se, kreu i qeverisë së Tiranës ka kërkuar një takim me të gjithë liderët politikë të Prishtinës.

Të njëjta burime shtojnë se, takimi është planifikuar për në 1 korrik dhe pritet të mbahet në Prishtinë.

Politikanët që Rama ka ftuar në këtë takim janë:

Hashim Thaçi
Kadri Veseli
Ramush Haradinaj
Fatmir Limaj
Isa Mustafa
Albin Kurti
Abdulla Hoti
Vjosa Osmani

Gjithësesi, deri tani nuk ka asnjë reagim nga emrat e sipërcituar. 

Njoftimi në lidhje me akuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit:

Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, e të tjerë, të cilët akuzohen për një sërë krimesh.

Ndaj tyre është ngriturakuza për krime kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaèit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

Besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës. /A.R, Syri.net