Premier League: Liverpool fiton ndaj Crystal Palace dhe i afrohet titullit

Liverpool priti në “Anfield” Crystal Palace në kuadër të javës së 31-të në Premier League. “Të kuqtë” kërkonin  me patjetër fitoren për t’iu afruar sa më shumë titullit kampion.

Dhe djemtë e Jurgen Klopp arritën të fitonin me rezultatin e thellë 4-0 ndaj “Shqiponjave”.

Fillimisht ishte, Arnold që hapi serinë e golave për Liverpool me një perlë nga goditja e lirë, e pakapshme nga portieri Hennessey.

Në fund të pjesës së parë Fabinho shërbeu bukur nga mesfusha për egjiptianin Salah, që tregoi më të mirën e tij në kontrollin e topit dhe në finalizim, 2-0.

Për kornizë edhe “siluri” i Fabinhos në minutën e 55-të, që nuk i dha asnjë shans portierit Hennesey, 3-0.

E ç’mund të bënte “gardiani” i Crystal Palace në minutën e 69-të, kur Salah, me shumë zgjuarsi, nxori Manenë të lirë, me sulmuesin senegalez që nuk gaboi me një goditje diagonale, që përfundoi në cepin e portës.

Falë këtij suksesi të 23-të radhazi, Liverpool është vetëm dy pikë larg kurorëzimit si kampion i Anglisë. “Të kuqtë”  mund të shpallen fitues të Premier League ditën e enjte, nëse Manchester City nuk fiton në Stamford Bridge, kundër Chelsea.