Dalja nga izolimi, OBSH nxjerr kriteret e reja për pacientët e infektuar

Pacientët, të cilët rezultojnë pozitivë me COVID-19, nuk do ta kenë më të nevojshme që të kryejnë dy herë testin për të mësuar nëse e kanë kaluar apo jo sëmundjen. Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, solli në vëmendje dje vendimin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku thuhet se për asimptomatikët do të mjaftojnë vetëm 10 ditë izolim, ndërsa për ata që kanë shfaqur simptoma, dalja nga izolimi do të bëhet pas 13 ditësh.

 “Lehtësohen kriteret për nxjerrjen e pacientëve nga izolimi. Vendimi i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë shkon në linjë me komunikimin e para disa ditëve, kur eksponentja shkencore e OBSH-së, Van Kerkhove, deklaroi se asimptomatikët e transmetonin ‘shumë rrallë’ virusin. Të nesërmen e deklaratës, pas ndonjë dushi të ftohtë, OBSH-ja tha se mesazhi ishte kuptuar gabim dhe u tërhoq sërish. Cilat janë ndryshimet në kriteret e reja për të dalë nga izolimi? Nuk kërkohen më dy tamponë negativë për SARS-CoV-2 për të dalë nga izolimi.

Për pacientët simptomatikë: dalja nga izolimi 10 ditë pas nisjes së simptomave, plus të paktën 3 ditë shtesë pa simptoma (pa temperaturë dhe pa simptoma respiratore). Për rastet asimptomatike: dalja nga izolimi 10 ditë pas testimit pozitiv për SARS-CoV-2″, ka bërë me dije doktori në rrjetet sociale.

EKSPERTI DASHO

Përkundrejt shifrave në rritje të infektimeve, eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, është i mendimit që me rritjen e temperaturave do të ulet ndjeshëm edhe transmetimi i virusit.

Nga ana tjetër, doktori ka parashtruar si zgjidhje deri në ardhjen e vaksinës, mbrojtjen e të moshuarve dhe atyre që vuajnë nga sëmundjet kronike përmes ndarjes së përkohshme, pra shkëputjen nga pjesa tjetër e familjes.

“Me siguri COVID do t’u nënshtrohet cikleve sezonale, ashtu si edhe koronaviruset e tjera. Nuk do të eliminohet plotësisht, por vera mesdhetare do ta ulë ndjeshëm transmetimin (flitet midis 30% dhe 50%). Shpesh kam hedhur idenë e ndarjes së përkohshme (deri sa të arrijë vaksina) të personave të moshuar që banojnë në të njëjtën shtëpi me familjarët. Madje, kam propozuar edhe bonus qiraje për ata të moshuar, që nuk kanë mundësi ekonomike. Mendoj se një masë e tillë ka vlerë të jashtëzakonshme për të ulur impaktin e epidemisë, sidomos në komplikacione dhe vdekshmëri”, ka shkruar doktori./PANORAMA/