Mjeku italian jep lajmin e mirë: COVID-19 mund të zhduket pa vaksinë, ja çfarë ka ndodhur

“Koronavirusi e ka humbur forcën e tij dhe është dobësuar ndjeshëm”, kështu është shprehur Matteo Bassetti, një mjek i njohur italian, i specializuar në sëmundjet infektive.

Bassetti shprehet i bindur kur thotë se virusi po e humbet forcën e tij dhe tashmë pacientët mund t’i bëjnë ballë, ndërsa para pak muajsh nga kjo sëmundje mund të humbnin jetën. Ai beson se nëse dobësimi i COVID-19 është duke ndodhur, atëherë nuk do të kemi nevojë për gjetjen e një vaksine.

“Përshtypja klinike që kam është se virusi po ndryshon ashpërsi. Në mars dhe në fillim të prillit modelet ishin krejtësisht të ndryshme. Njerëzit paraqiteshin në urgjencë me vështirësi të mëdha dhe kishin nevojë urgjente për ventilator.

Tashmë, në katër javët e fundit, panorama ka ndryshuar plotësisht. Ka një ngarkesë të ulët virale në traktin respirator, ndoshta për shkak të një mutacioni gjenetik në virus, i cili ende nuk është demonstruar shkencërisht”, u shpreh mjeku.

Më tej ai shtoi: “Ndoshta s’do të kemi nevojë për vaksinë, me këto ritme që po bie forca e virusit”.