Ilaçi që shpëton jetët nga virusi/ OBSH: Kursejeni për rastet e rënda

The Guardian

Një ilaç i lirë, që studiuesit britanikë mendojnë se mund të ndihmojë në shpëtimin e jetëve nga koronavirusi i ri, duhet të përdoret vetëm në rastet më të rënda, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Shefi i OBSH, dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se studimet më në fund kanë siguruar një rreze shprese.

Rezultatet e studimit u shpallën të martën. Ato tregojnë se steroidi deksametazon, një ilaç gjenerik i përdorur që nga vitet ’60 për të reduktuar inflamacionin në disa sëmundje të tilla si artriti, e ul nivelin e vdekshmërisë me rreth një të tretën te pacientët e sëmurë rëndë në spital.

Kreu i programit të urgjencave në OBSH, dr. Mike Ryan tha se ilaçi duhet të përdoret vetëm në rastet ku ka treguar se ndihmon vërtetë.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë rast, që ilaçi të rezervohet për përdorim vetëm për ata që janë të sëmurë rëndë dhe në gjendje kritike, të cilët përfitojnë qartësisht prej tij.