Zbrazja e tualetit mund të ngrejë viruse në ajër deri në 90 centimetra

Zbrazja e sifonit të tualetit me kapakun ngritur krijon një ré piklash uji që mund të thithen me frymën dhe mund të përhapin infeksione, të tilla si coronavirus.

Ky është rezultati i një studimi të kryer nga shkencëtarë kinezë, të cilët kanë llogaritur se reja e krijuar nga zbrazja e ujit mund të arrijë deri në lartësinë e kokës e më tej.

Piklat e ujit fluturojnë deri në 91 centimetra nga niveli i dyshemesë, sipas modelit kompjuterik të përdorur nga shkencëtarët e universitetit të Jangzhout. Mbyllja e kapakut të tualetit e shmang gjithë këtë.

Coronavirusi përhapet përmes stërkalave që qëndrojnë në ajër pas kollitjes e teshtimave, ose nga objektet e kontaminuar. Të infektuarit mund të kenë gjurmë të virusit në feçe, ndonëse ende nuk dihet nëse kjo është një mënyrë e kalimit të sëmundjes te të tjerët.

Shkencëtarët nëpër botë po testojnë ujërat e zeza dhe mbetjet ujore për të përcaktuar nëse mund të jenë rrugë të përcjelljes së coronavirusit, ndërkohë që viruse të tjerë mund të përhapen nga mungesa e higjienës në tualete.

Teksa uji rrjedh në tasin e tualetit gjatë zbrazjes, ai godet anët, krijon turbulenca e pikla. Këto të fundit janë kaq të vogla sa që qëndrojnë pezull në ajër për më tepër se një minutë, sipas autorit të studimit, Ji-Xiang Wang, dhe kolegëve të tij në universitetin e Jangzhout.

Dr. Bryan Bzdek nga qendra kërkimore e universitetit të Bristolit, Angli, thotë se megjithëse nuk ka fakte të qartë që coronavirusi përhapet në këtë mënyrë, kujdesi nuk është i tepër.

‘Autorët e studimit sugjerojnë që, kurdoherë që të jetë e mundur, ta mbajmë të mbyllur kapakun e tualetit kur zbrazim ujin, ta pastrojmë shpesh ndenjësen e tualetit dhe çdo vend tjetër kontakti, dhe të lajmë të lajmë duart pas përdorimit të tualetit. Ndërsa ky studim nuk është në gjendje të demonstrojë se këto masa do ta reduktojnë transmetimin e virusit SARS-CoV-2, shumë viruse të tjerë transmetohen në këtë mënyrë, ndaj këto masa higjienike janë të vlefshme’.