Basha: Shëndetin dhe ekonominë e shqiptarëve e kërcënon RAMAVIRUSI

Kreu i opozitës, Lulzim Basha reagoi pas kërcënimeve të kryeministrit Edi Rama se do të rikthejë izolimin total të vendit.

Kjo deklaratë erdhi pas shtimit të rasteve me infeksione të reja me koronavirus.

Por Basha thotë se shqiptarët e kanë kuptuar se kush është kërcënimi më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre.

POSTIMI I BASHES

Nëse Rama do të kishte bërë testime si në çdo vend tjetër, ne do ta dinim ku dhe si po përhapet koronavirusi.

E kam ngritur këtë çështje me qindra herë, javë pas jave duke nënvizuar se testimi është element shumë i rëndësishëm edhe për strategjinë e daljes.

I kërkova të mbrojë mjekët dhe personelin në spitalet e qendrat shendetesore, të mbyllë fasoneritë dhe call centers si vatrat më të mëdha që rrezikonin infektimin masiv, siç dhe ndodhi. Po ai nuk bëri asgjë.

Propozuam edhe planin për një dalje sa më të lehtë për njerëzit nga karantina, pa rrezikuar shëndetin e tyre dhe duke mbështetur njerëzit në nevojë dhe ekonominë. Sepse shëndeti i qytetareve dhe ekonomia janë prioriteti absolut.

Por Rama e kishte mendjen tjetërkund: te shfaqjet dhe zdërhalljet me orë para ekranit si narcisti para pasqyrës, tek tenderat sekretë me miliona euro vjedhje në kohë pandemie, te pagesat nga taksat e shqiptarëve për inceneratorët dhe landfillet e Bandës së Lushnjës, dhe jo të siguronte testimet e duhura apo të mbështeste qytetarët në vështirësi dhe ekonominë në krizë të thellë.

Sot të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se kërcënimi më i madh për shëndetin e tyre dhe për ekonominë e tyre është RAMAVIRUSI: ai është e keqja e vendit.