Revolta ndaj 15 kushteve, Rama si likuidator i sipërmarrjes së falimentuar

Nuk duhet të jetë fort e lehtë për Ramën të pranojë se nga të paktat gjëra që janë rritur gjatë qeverisjes së tij, janë edhe kushtet që po i imponohen vendit për të çelur negociatat.

Sa herë Rama festonte hapjen e negociatave në Tiranë, më shumë kushte vendoseshin nga Brukseli.

Nuk është ndonjë mëkat i madh të pohohet se për një pjesë të mirë të tyre, Rama ka një autorësi ekskluzive. Sidomos për ato pika në të cilat në gjuhë të huaj kërkohet ndëshkimi i krimit zgjedhor, pra të dosjeve të Dibrës dhe Durrësit, vendimi mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve moniste të 30 qershorit, ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pa të cilat qeveria do të qendronte për bukuri, ulja e numrit të azilkërkuesve, ekzistencën e të cilëve qeveria e ka mohuar me kokfortësi, si dhe ndryshimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, kërkesë që na ka rënë për hise për shkak të oreksit kryeministror për të asgjësuar kritikët e tij.

Pa realizmin e tyre, qeveria nuk do të ketë mundësi të ulet në tryezën e Konferencës së parë Ndër-Qeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që do të shënonte nisjen e negociatave për anëtarësim. Mirëpo, Rama, si përgjegjësi për imponimin e tyre, por edhe si i ngarkuari për zbatimin e tyre për shkak të pozicionit që mban në krye të qeverisë, ndodhet në dilemën e atij që po detyrohet të presë degën në të cilën është ulur vetë.

Prandaj, edhe pse implementimi i kushteve nisi me dakordësinë mbi administrimin zgjedhor, të cilin gjeti kohë për ta përshëndetur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, Rama po përpiqet, nëpërmjet opozitës së opozitës që ndodhet në Parlament, ta pengojë me lojëra të nëndheshme ‘kodifikimin’ e rezultatit të 5 qershorit, dhe bashkë me të edhe një nga kushtet më të rëndësishme për paqen zgjedhore, ndjekja penale e të akuzuarve për shitblerjen e votave.

Kjo përpjekje vërehet në komunikimin e kryeministrit, i cili pak ditë më parë deklaroi: ‘Nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt konferencës së parë Ndër-Qeveritare. Nuk ka, nuk ekzistojnë.’ Ose te gjatësia e njëjtë e valëve midis përfaqësuesve të shakasë së fundit të Tranzicionit, ‘opozita e re’, dhe mazhorancës për sa i përket ndalimit të koalicioneve parazgjedhore dhe imponimit të një pragu të lartë zgjedhor për të fragmentuar sa më shumë frontin e gjerë opozitar; por edhe nga plani me 15 pika që u prezantua në Këshillin Kombëtar të Integrimit, në të cilin mungonte ndëshkimi i krimit zgjedhor.

Këto qëndrime kanë ngritur shqetësime jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe përtej Adriatikut. Rrufeshëm ka reaguar Johann Wadephul, numri dy i CDU/CSU, institucion që për Shqipërinë ka tashmë rolin e Shën Pjetrit në dyert e ‘parajsës’ Europiane, ka kërkuar përmbushjen e 15 kushteve.

Në të njëjtën gjatësi vale ka qenë edhe deklarata e së martës e Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane, ku në mënyrë të përsëritur kërkohet përmbushja e 15 kushteve në mënyrë që të çelen negociatat, pa harruar ‘hetimin për akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet e kaluara’.

Dukshëm, rebelimi i Ramës ndaj kushteve, sigurisht nëpërmjet bedelëve, po lexohet përherë e më qartë nga vendorë e të huaj, që kanë kuptuar se frika e tij nga humbja e pushtetit po prodhon, dhe do të prodhojë, makinacione për të destabilizuar situatën politike dhe shoqërore, si vetmja rrugë që ka për të shpëtuar pushtetin e tij.

Rruga tjetër, të cilën kryeministri nuk e përcakton dot, veçse duhet ta ndjekë, është ajo e zbatimit të kushteve të nisura nga Bundestagu dhe të shndërruara në një dokument të Këshillit Europian. Ato janë skanim i Shqipërisë disfunksionale që ka prodhuar Rama. Në to është shkruar perspektiva europiane e vendit, si dhe restaurimi i normalitetit institucional dhe politik që i shërben kaq shumë qytetarëve.

Në zbatimin e kushteve, kreu i qeverisë, ka një pozicion aspak të kënaqshëm, atë të një likuidatori të një sipërmarrjeje të falimentuar. Ngjashëm me ato që emërohen në fundjetën e një biznesi në QKB. Në këtë kuadër, merr kuptim edhe revolta e Ramës, i cili parasheh shumë qartë se paketa europiane dhe shtrëngimet për ta aplikuar atë, shumë shpejt do të vendosin mbi ‘Rilindjen’ mbishkrimin ‘MBYLLUR’.