Taksa e sheshtë, e vetmja rrugë ndaj krizës së Ramavirusit

Në cilindo cep të Tiranës të pyesësh apo takosh biznese do të tregojnë të gjithë një listë të gjatë ankesash dhe shqetësimesh. Aq e thellë është kriza saqë edhe bizneset në qendër dhe zemër të Tiranës ankohen për tatimorë xhambazë që u vijnë me gjoba në dorë, për klientë që nuk shpenzojnë më si dikur, për një shtet inekzistente që i ka mbushur në taksa.

Përditë e më shumë, kriza thellohet ndërsa vendi vuan pasojat e një virusi që prej 7 vitesh e torturon dhe pengon të zhvillohet. RAMAVIRUSI është pengesa për çdo sipërmarrje, politikat e tij fiskale dhe ekonomike kanë pamundësuar mundësinë e kryerjes së biznesit. Gjatë gjithë periudhës së pandemisë bizneset në rrugën e Saraçëve dhe më tej janë lënë në harresë, askush nuk i sheh apo nuk i pyet për situatën e tyre. Mbijetojnë pasi një pjesë nuk kanë për të paguar ndonjë qira, të tjerët shtrëngojnë dhëmbët dhe po hedhin në treg çfarë mund ë kenë mbledhur.

Qeveria ndërkohë krenohet se merr borxh jo për të ndihmuar bizneset por për të ndihmuar oligarkët. Qeveria Rama i fut në borxh shqiptarët jo për të lehtësuar krizën por i thellon më tej në skamje për të sponsorizuar monopolet. Prandaj alternativa ndaj çoroditjes së politikave të taksave të larta, tarifave pa fre, humbjes së të ardhurave si pasojë e një tregu të monopolizuar është vota për opozitën.

Taksa e sheshtë prej 9% është reale dhe e prekshme. Një mundësi për sipërmarrësit dhe qytetarët që të kenë më shumë para në xhepin e tyre, të konsumojnë më shumë dhe të investojnë më shumë në biznesin e tyre. Ajo është e vetmja rrugë për të përballuar krizën 7 vjeçare që RAMAVIRUSI ka degdisur biznesin në Shqipëri. rruga për të rritur punësimin dhe për të rikthyer sytë e shqiptarëve në vend.