Mehmetaj: Ministria e Arsimit i preu në besë maturantët, fati i tyre në dorë të ‘Turi-t’

Ish-deputetja e LSI-së. Kejdi Mehmetaj, ka reaguar në mbështetje të protestës së sotme të maturantëve përballë Ministrisë së Arsimit duke shkruar ndër të tjera ‘se e ardhmja e maturantëve vazhdon të luhet në ruletën e fatit’

‘E ardhmja e maturantëve vazhdon të luhet në ruletën e fatit.

Çdo vit gjatë periudhës së zhvillimit të provimeve të maturës e derisa përfundojnë regjistrimet në universitete, familjet shqiptare kaplohen nga ankthi e pasiguria për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Çdo vit probleme me tezat, çdo vit ndryshime të strukturës së provimeve, çdo vit ndryshime të programit e të rregullave e çdo vit ndryshime në kriteret e pranimit në universitete. Pra, pavarësisht se çdo verë shoqërohet me ankesa e lot, dashakeqët e Ministrisë së Arsimit vazhdojnë eksperimentet në kurriz të të ardhmes së rinisë sonë.

Edhe këtë vit, përtej gjithë paralajmërimeve që ekspertët dhe opozita bëri, ministria vendosi ti zhvillojë provimet e më keq akoma, të ndryshojë tipologjinë e tezave duke shtuar 10 fish stresin e gjimnazistëve që u futën në provime pa ndjekur një vit të plotë akademik (duke marrë në konsideratë edhe tërmetin përveç pandemisë).

Tezat e provimit të anglishtes dhe letërsisë kanë nxjerrë në pah 3 të vërteta të hidhura:

1- Paftësinë e çdo punonjësi të Ministrisë së Arsimit, duke filluar me ministren e për të përfunduar me specialistët.

2- Shkatërrimin e sistemit tonë arsimor prej vitesh, duke i degraduar shkollat në godina që nuk kanë asnjë funksion tjetër përveçse të mbajnë nxënësit brenda për disa orë në ditë.

3- Dëshirën malinje që ka kjo qeveri për të shkatërruar të ardhmen e vendit tonë duke nxitur padijen, servilizmim e klientelizmin tek fëmijët tanë.

Çdo ankesë e kërkesë e maturantëve sot e kurdoherë është ligjitime, sepse reagojnë për dije e shkollim.

Ministria e Arsimit i preu në besë maturantët e për këtë jo vetëm duhen dhënë dorëheqie, por duhen mbajtur përgjegjesi ligjore. Plotësimi i kërkesave të shprehura të gjimnazistëve është minimumi. Në të kundërt protestat e nisura sot do i kalojnë disa herë përmasat e protestës së studentëve. Pranojeni se keni dështuar denjësisht me arsimin e hapuni rrugën ekspertëve të marrin në dorë situatën.

Me përmbajtjen e tezave nuk po merrem në këtë shkrim pasi Jane (fëmija i shtatë), Turi e ndjeshmëritë e Lasgushit janë bërë tashmë hit në rrjete sociale.’