Thaçi për SYRI.net, mesazh Rakiçit e Hotit: Kush nuk respekton kushtetutën e ligjet...

Zëvendëskryeministri  i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiç dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiç, kanë takuar ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnet, pa asnjë simbol shtetëror të Republikës së Kosovës dhe ato amerikane.

Po ashtu, Rakiç dje ka takuar edhe ambasadoren e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natali Apostolova, përfaqësuesen speciale, po ashtu pa asnjë simbol apo mbishkrim të Republikës së Kosovës e ato të Bashkimit Evropian.

Edhe në këtë takim, sikur në të tjerat, nuk ka asnjë simbol të shtetësisë të Kosovës, siç edhe siç shihet në fotografi, duke injoruar shtetin, pjesë e të cilit janë, raporton ‘SYRI.net’.

Goran Rakiç, deri më tani ka qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës Veri, ku edhe atje prej vitesh ekzistojnë vetëm simbole të Serbisë dhe thuajse asnjë simbol apo element i Republikës së Kosovës.

Pas emërimit si zëvendëskryeministër Goran Rakiç po i vazhdon takimet më ambasadorët e vendeve të tjera  pa asnjë element të shtetësisë së Kosovës, duke vazhduar avazin e vjetër siç bënte në veriun e Kosovës.

Po ashtu, edhe në njoftimin në Facebook nuk përmendet  si zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, por vetëm si zëvendëskryeministër.

Në lidhje me këtë situtatë, SYRI.net ka pyetur presidentin Hashim Thaçi, i cili tha se, ‘unë ku jam aty në çdo institucion që paraqitem, gjithmonë janë simbolet e shtetit e Kosovës’.

‘Edhe në kohën kur kam qenë kryeministër i vendit, përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve kanë respektuar institucionet, kushtetutën, lidhjet dhe simbolet e shtetit të Kosovës. Përndryshe nuk ka qëndruar asnjë minutë në zyrën e vet’, tha presidenti Thaçi

Ai tha se për qeverinë aktuale duhet pyetur Hoti.

‘Ai që nuk respekton kushtetutën, ligjet në fuqi dhe shtetin nuk mundet me qenë pjesë e institucioneve’, tha presidenti Thaçi.

Avokati Elmi Qerimi tha për ‘Syri.net’, se shkelja e kushtetutshmërisë dhe ligjeve të Republikës së Kosovës duhet të trajtohet njësoj, pavarësisht a bëhet ajo nga komunat me përkatësi nacionale serbe, nga komunat në veri të Kosovës apo nga komunat e Prishtinës, Gjilanit etj...apo nga përfaqësuesit e qeverisë së Republikës së Kosovës, ministrat, zëvendëskryeministrat, deputetët, diplomatët e tjerë.

Ai tregon se neni 2.2 i Ligjit për Simbole, specifikon se ‘me flamurin, stemën dhe himnin përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti i saj shtetëror’ dhe neni 4.1 thotë se ‘Flamuri shtetëror vendoset në ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucioneve shtetërore…’.

‘Përdorimi i simboleve shtetërore rregullohet edhe përmes Neni 15 të Ligjit për Protokollin e Shtetit.

 Qeveria është qartazi institucion shtetëror, dhe zyra e një ministri apo zëvendëskryeministri është zyrë përfaqësuese e atij institucioni’.

‘Edhe Kushtetuta parasheh se flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Pra kushdo që i mohon këto simbole, e mohon Republikën e Kosovës’.

‘Heqja e simboleve shtetërore, prandaj, është shembull shumë i keq i qeverisjes dhe akt i turpshëm dhe tregon injorim ndaj shtetit. Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të reagoj ndaj të gjitha rasteve të tilla, kurë anëtarët e saj paraqiten në raste të tilla’, tha avokati Elmi Qerimi.

Njohësi i çështjeve kushtetuese Riza Smaka, tha për ‘Syri.net’ se Lista Serbe është e provincës së shtetit serb, e cila i përfaqëson interesat hegjemone serbe.

Ai shtoi se si e tillë Lista Serbe, jo vetëm institucionet dhe qytetarët e Kosovës, por nuk i përfaqëson as interesat e qytetarëve serbë të Kosovës.

‘Qeveria aktuale e vendit tonë pos defekteve tjera referuar legjitimitetit madje edhe legalitetit, Listën Serbe e ka dhe do ta ketë sfidë dhe hipotekë të rëndë të cilën zor se do ta përballojë së paku jo për një periudhë të gjatë’, tha Smaka.

Sipas tij përderisa Lista Serbe vepron si një eksponente e shtetit serb, e jo e serbëve kosovar, e njëjta do të shpërfille rendin juridik të vendit tonë në një anë dhe qeverinë aktuale për aq do ta problematizojë dhe komprometojë politikisht dhe moralisht në anën tjetër.

Profesori Riza Smaka, tha se Lista Serbe si e tillë në radhë të parë për qeverinë aktuale do të jetë ‘Advocatis Diabolika’!

Ndërsa, Analisti Ramush Tahiri, tha për ‘Syri.net’, se askush nga zyrtarët e Republikës së Kosovës nuk mund t'i ketë ambientet  e punës dhe zyrat pa simbolet e shtetit, pra edhe pa flamurin e Kosovës.

‘Në takimet zyrtare simbolet janë pjesë e obligueshme. Edhe ministrat e komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera ashtu si ata shqiptar,  ani që në këto funksione zgjidhen në bazë përkatësie qytetare e politike e jo kombëtare e kanë obligim dhe nderë të vënë flamurin e Kosovës’, tha Tahiri.

Sipas tij, mosrespektimi nuk është çështje e përcaktimit të lirë personal, por shkelje e ligjit dhe ndëshkohet.

Njohësi i protokollit Tomorr Avdiaj, tha se zyrtarët e lartë të qeverisë janë të obliguar të vendosin simbolet në institucione si brenda dhe jashtë të përcaktuar nga Ligji i Protokollit të shteti mbi simbolet.

Në rastin e zv/ kryeministrit Rakiq, në takime që ka pasuar të niveli të lartë diplomatik siç ishte ai me ambasadorin e amerikan Filip Kosnet dhe ambasadoren e BE-së Natali Apostolova, në tërë hapësirën e bërë publike nga zyra e tij nuk duket asnjë simbol i shtetit të Kosovës.

‘Në këtë rast ai përbën një shkelje të rëndë të rregullave të protokollit, por dhe ligjeve në fuqi, për këtë ai duhet të mbajë përgjegjësi’, tha Avdiaj.

Nga ana tjetër nga qeveria, kryeministri, Prokuroria Speciale ajo e Shtetit e opozita LVV-ja e PDK-ja nuk janë përgjigjur për ‘Syri.net’, rreth kësaj teme.