HARTA/ Shumë vatra të reja, në Krujë u infektuan në varrim

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë shënuar 42 raste të reja me koronavirus në vendin tonë, pas 311 testimesh.

Kjo është dita me më shumë raste të reja në Shqipëri që nga nisja e pandemisë.

21 raste janë regjistruar në Tiranë, 9 raste në Shkodër, 4 në Durrës, 3 raste në Krujë, 2 në Lushnjë dhe një rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore.

"Në 24 orët e fundit janë kryer 311 testime nga të cilat janë konfirmuar 42 raste pozitive, përkatësisht, 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnje, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive, por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Durrës, Berat, Pukë, Shkodër.

Rastet e Krujës janë qytetarë të cilët kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore, ndaj ju bëjmë thirrje edhe njeherë që të shmangni grumbullimet masive në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit.

Në 24 orët e fundit janë testuar dhe ritestuar 80 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të prekur 5 personel, ndërsa janë shëruar 8 mjekë dhe infermiere.

Vetëm në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” 9 pacientë të dyshuar të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana.

Aktualisht janë 46 të shtruar pozitivë me COVID-19. Është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive. 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive, njëri prej tyre në intubim. Ndërsa një pacient ka dalë nga intubimi falë punës së stafit mjekësor të spitalit infektiv.

Lajmi tjetër i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 20 të prekur nga COVID-19 mes të cilëve 8 personel shëndetësor, duke e çuar në 980 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë.

Në vendin tonë janë aktualisht 327 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër, ku ka transmetime komunitare," deklaroi MSH.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë- 205
Shkodër- 38
Krujë- 27
Kamëz- 19
Durrës- 14
Mat- 9
Lushnje- 6
Tropojë- 2
Korçë- 1
Librazhd- 1
Mallakastër- 1
Lezhë- 1
Pukë- 1
Berat- 1
Ura Vajgurore- 1