Deklarata e gazetarit: Ky është qyteti ku e zhvillon aktivitetin e drogës grupi i Klement Balilit

Gazetari Investigativ Artan Hoxha risjell në vëmendje rastin e Klement Balilit, personi që i ka shpëtuar tetë operacioneve policore, që kur Gjykata e Krimeve të Rënda dha për të masën arrest me burg në mungesë, për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe zbulon të reja të tjera në lidhje me të.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, Hoxha ka zbuluar qytetin ku vepron grupi i lidhur me Klement Balilin, i njohur ndryshe edhe si “Eskobari i Ballkanit”.

“Organizata e financuar nga Klement Balili ka një bazë të vetën në qytetin e Fierit dhe zotërojnë kryesisht linjën e trafikut të drogave të forta që vijnë nga vendet e Amerikës Latine, kryesisht nga Ekuadori. Ajo përpunohet këtu dhe shpërndahet në vendet evropiane. Pikërisht për këtë arsye kjo organizatë është vënë edhe në shënjestrën e autoritete amerikane”, tha Hoxha.

Po sipas tij, në lidhje me këtë organizatë Policia e Shtetit ka depozituar një dosje në Prokurori që në muajin mars, pak para kapjes së ngarkesës me drogë në ishullin grek, që zbuloi edhe emrin e Balilit.

Hoxha tha më tej, se arratisja e Balilit për kaq kohë nuk është rastësi, por vjen si rezultat i ndihmës që i kanë dhënë pjesëtarë të administratës, nga policë deri tek punonjës të shërbimit sekret, të gjithë këta nën hetim, siç tha gazetari.

“Policia i ka dërguar prokurorisë një dosje në lidhje me personat e dyshuar si informatorë apo bashkëpunëtorë të Klement Balilit të cilët janë funksionarë të administratës shtetërore, apo pjesëtarë të agjensive të zbatimit të ligjit, që nga policia e shërbimi sekret që akuzohen se kanë bashkëpunuar me Klement Balilin, që kanë lehtësuar qarkullimin e tij. Këta persona po hetohen pasi i kanë dhenë informacion Kelmend Balilit për lëvizjet e policisë dhe operacionet që janë organizuar për arrestimin e tij. I gjithë ky grup bashkëpunëtorësh është në verifikim, prokuroria do sigurojë provat e duhura”, tha ai më tej.