EKSKLUZIVE/ Blushi kundër Berishës: S’mund të bëjmë luftë për Veriun e Mitrovicës. Të bashkohemi me Kosovën e mbetur...

Çim Peka: Në këto momente që po flasim Mitrovica e veriut është problemi. Sapo u shprehet se shqiptarët e Kosovës duhet të bashkëveprojnë me vendimet e bashkësisë ndërkombëtare?

Blushi: Mitrovica e veriut sot fatkeqësisht është një territor i pushtuar është një territor jashtë administrimit të Republikës së Kosovës. Muri është përpjekja e fundit për të thënë që ky është kufi serb dhe nuk ka arsye të kontrollohet nga administrata shqiptare e Kosovës, ky është një sinjal shumë i keq. Unë do të preferoja që aty të mos kishte provokime në mënyrë që territori i Republikës së Kosovës përfshirë dhe Mitrovicën e veriut të mbetej i pacënuar.  Republika e Kosovës është një fakt i njohur ndërkombëtarisht. SHBA dhe BE e kanë njohur.

Çim Peka: I njohur sëbashku me veriun e Mitrovicës?

Blushi: Sigurisht i njohur si bashkësi territoriale që nuk duhet të cenohet.

Çim Peka: Pikërisht kjo është pyetja dhe ishte një koment që bënte dje një shqiptar i Kosovës gjatë intervistës me zotin Berisha në ueb-in e Syrit. Në momentin që serbët të kërcënojnë me aneksim territori a mund tu ofrosh paqe atyre duke u falur territor siç është rasti i propozimit të Rexhep Qoses që thotë le ta marrin Veriun e Mitrovicës?

Blushi: Sigurisht që jo. Unë nuk po them këtë gjë. Unë them se rendi i ri i gjërave nuk varet vetëm nga ne, ne nuk kemi në dorë të ndryshojmë raportet e mëdha të ndërkombëtarëve siç janë raportet e Rusisë me SHBA-të, këto gjëra nuk i kemi ne në dorë, siç nuk i kishin në dorë serbët në vitin 98-99 kur u bë lufta, e kishin në dorë ata të ndalnin pavarësinë e Kosovës, nuk e ndalnin dot edhe pse kishin një aleat të madh siç ishte Rusia, dhe disa vende të BE-së ishin pro qëndrimit serb. Kosova u krijua si një njësi territoriale e dominuar në shumicë nga shqiptarët. Në më pak se 20 vjet afro 10 vjet që nga shpallja e pavarësisë, Kosova nuk ka arritur dot të jetë një shtet funksional, ka qenë vazhdimisht i provokuar, i provokuar nga serbët, i provokuar nga problemet e brendshme, i provokuar nga varfëria, i provokuar nga korrupsioni, i provokuar nga terrorizmi. Serbët sot janë duke shfrytëzuar problemet e brendshme të Kosovës, dobësinë e institucioneve, një shtet në të cilin është mbledhur parlamenti vetëm 4 herë brenda një viti. Një shtet i cili nuk hyn dot për të prishur murin, të gjitha këto serbët i kanë shfrytëzuar për të treguar se është një projekt i dështuar Europian. Të gjitha këto dhe ajo që thashë unë janë që diplomacia jonë ëhstë shumë e plogët dhe shumë e dobët dhe shumë e kompleksuar sepse mund të ishte në këto kushte e vetmja mbështetje për diplomacinë e Kosovës. Diplomacia shqiptare kam thënë është Amerika, ajo mund të bëjë shumë. Kjo është ajo që kam thënë në parlament dhe dua ta përsëris, mund të bëjë shumë për të arritur në BE. BE që ska akoma një qëndrim zyrtar për Kosovën, se bëhet fjalë për një provokim serb, se serbët duan të aneksojnë veriun e Kosovës, se nëse veriu i Kosovës ndahet atëherë pasoja direkte e kësaj gjëje do ishte bashkimi i Shqipërisë me pjesën tjetër të Kosovës. Pra i themi bashkimit Europian se nëse ju nuk mbroni veriun e Kosovës, atëherë bashkimi i Shqipërisë me kosovën është proces natyral.