Parashikimi i Bankës Botërore/ Ja sa pritet të tkurret prodhimi global për 2020

Koronavirusi do të ndikojë që prodhimi ekonomik global të tkurret për 5.2 për qind më 2020, ka thënë Banka Botërore të hënën, duke paralajmëruar se parashikimi i fundit do të shkojë edhe më poshtë, nëse pasiguria rreth pandemisë me koronavirus dhe mbyllja e bizneseve do të zgjasë për periudhë më të gjatë.

Në raportin e saj të fundit, kjo Bankë ka thënë se ekonomitë më të avancuara pritet të tkurren për 7.0 për qind më 2020, derisa ekonomitë e vendeve në zhvillim do të tkurren për 2.5 për qind, raporton Rel.

Në baza të bruto-prodhimit të brendshëm për kokë banori, tkurrja globale do të jetë më e thella prej periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Parashikimet e përditësuara tregojnë më shumë dëme në ekonomi, sesa ishte vlerësuar në muajin prill nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka parashikuar ulje ekonomike prej 3.0 për qind më 2020.

Kujtojmë se rastet e para me koronavirus janë raportuar në Vuhan, Kinë, në fund të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën me këtë virus janë infektuar mbi 7 milionë persona.

Prej tyre, mbi 3 milionë janë shëruar, derisa mbi 400,000 kanë vdekur.