Ndërhyrja e ushtrisë për protestat e dhunshme/ 52% e amerikanëve mbështesin Trump

Më shumë se gjysma e amerikanëve janë në favor të dislokimit të ushtrisë për të ndërhyrë atje ku ka protesta të dhunshme, sipas një sondazhi të ri të ABC News / Ipsos të publikuar të dielën.

Në anketën e re, 52% e të pyeturve e miratojnë përdorimin e ushtrisë, krahasuar me 48% që janë kundër.

Pyetja që iu bë të anketuarve bënte fjalë vetëm për demonstrime të dhunshme dhe jo për protesta paqësore.

Në fillim të javës që kaloi, presidenti Trump ngriti mundësinë e dërgimit të trupave në detyrë aktive për të kontrolluar protestat në qytetet e vendit, pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e një polici të bardhë.

Në një paralajmërim për udhëheqësit e qeverive shtetërore dhe lokale, Presidenti Trump u shpreh: “Nëse një qytet ose shtet nuk pranon të ndërmarrë veprimet që janë të nevojshme për të mbrojtur jetën dhe pronën e banorëve të tyre, atëherë unë do të dislokoj ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, dhe do ta zgjidh shpejt problemin për ta”.