Çobo tërheq padinë ndaj Ardi Veliut: Jemi njerëz mbi të gjitha

Nëna e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia, Zaida Çobo ka vendosur të tërheq padinë ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Ditën e sotme Zaida Çobo pati edhe një takim me Veliun, ku ky i fundit i ka kërkuar ndjesë personalisht.

Sipas asaj që shkruan Panorama, Çobo ka folur me avokatin dhe nesër pritet që të bëhet procedura e tërheqjes së padisë, duke shtuar “Jemi njerëz mbi teë gjitha”.

Pak ditë më parë, në përgjigje të pyetjes rreth dhunës që policia ushtroi ndaj 15-vjeçarit, Sarandi Çobo, drejtori i Policisë së Shtetit publikoi një video të nënës së tij, ku tha se ajo po mbante një armë në dorë.

“Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë”, tha mes të tjerash Veliu pas publikimit të videos.

Pas kësaj reagoi vetë Zaida Çobo, e cila tha se skena e publikuar nga drejtori i Policisë së Shtetit janë xhiruar gjatë filmit “Dashia s’mjafton” me regjisor Drilon Hoxhën, ndërsa paralajmëroi edhe padi ndaj Veliut për dëmtim imazhi.

Çobo i konsideroi “të turpshme deklarata e Drejtorit të Policisë së Shtetit”, teksa tha se asaj “nuk i vjen turp pasi është aktore dhe personazh publik pasi ka marrë pjesë në Big Brother”.

Objekti i padisë ishtë shpërblim dëm–jo pasuror të shkaktuar paditëses, nga cenimi i nderit dhe dinjitetit dhe publikimit të të dhënave personale në masën 1 milion lekë.