'E shihni çfarë familje ka?', Veliu viziton nënën e minorenit të dhunuar nga policia pasi e paditi

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i ka kërkuar ndjessë publike Zaida Çobos, nënës së 14-vjeçarit të dhunuar tek liqeni Artificial.

Me anë të një postimi, Policia e Shtetit njofton se Veliu është shprehur i keqardhur për komentin e bërë ndaj saj në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Njoftimi i plotë

Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, së bashku me Zv.drejtoren e Përgjithshme Aida Hajnaj, pritën e zhvilluan një takim me znj. Zaida Çobo.

“Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike.

Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj.

Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes).

Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë!” – u shpreh Drejtor Veliu pas bisedës.