VIDEO - FOTO/ 600 kg kokainë - Lirohet shqiptari i organizatës kriminale. Tre të tjerë në gjykim. Emrat

Është mbyllur me 10 dënime dhe 6 persona të liruar nga qelitë, procesi me gjykim të shkurtuar në gjykatën e Catanzaro në Itali, që lindi pas operacionit ant-drogë të koduar “Overing”.

Gjatë operacionit të koduar "Overing", u arrestuan më shumë se 40 persona, mes të cilëve edhe shqiptarë dhe u sekuestruan më shumë se 600 kg kokainë.

Siç raportojnë sot mediat lokale, shqiptari Dritan Pane, 39 vjeç, i akuzuar si pjesë e grupit kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar droge, është shpallur i pafajshëm dhe kështu është lënë i lirë. Ndaj tij, organi i akuzës kishte kërkuar 9 vite burgim.

Ndërkohë, tre shqiptarë të tjerë, Elton Zotaj, 36 vjeç; Riza Baco, 38 vjeç dhe Aldo Gorgaj, 38 vjeç, do të gjykohen me proces të zakonshëm.

Grupi kriminal

Hetimet kanë zbuluar një organizatë ndërkombëtare të trafikut të drogës të përbërë nga venezuelianë, kolumbianë, shqiptarë dhe italianë. Organizata trafikonte drogë nga Amerika e Jugut në Itali. Një rafineri droge u zbulua në Spilinga, Vibo Valentia, Itali. Pjesa më e madhe e kokainës ishte përpunuar në Vibo Valentia, të paktën deri në vitin 2007. Rafineria ishte ngritur në një ndërtesë në pronësi të një 61-vjeçari italian, Domenico Cino, i dënuar me 16 vite burgim (megjithatë ka përfituar 1/3 e uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar).

Funksioni i shqiptarëve

Më herët, prokuroria italiane ka bërë me dije se, grupi i shqiptarëve ishte një nga pikat marrëse të sasisë së drogës së administruar nga kjo organizatë, e cila më pas shtrinte degët në shumicën e territorit të Kalabrisë, në disa zona të tjera të Italisë dhe përtej kufirit.

/Syri.net/