Erë fushate/ Risia që propozon PD: Ja si do përzgjidhen kandidatët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i propozoi sot kryesisë së forcës më të madhe të opozitës nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit te kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore.

Vendimi i zotit Basha është një risi për politikën, pasi për herë të parë kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie do të kenë votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Përfshirja e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve politikë të PD është një detyrim që u përfshi në statutin e PD me kërkesë të kreut të opozitës, si konkretizim i premtimit të tij se ai nuk do të bënte më kurrë i vetëm listën e kandidatëve për deputetë apo për kryetarë bashkie.

PD është e vetmja parti që po zbaton parimin “një anëtar, një votë” për përzgjedhjen e kandidatëve oër deputetë.

Ky proces pritet të nisë nga 20 qershori deri në 15 shtator, duke e mbajtur të angazhuar në maksimum bazën e Partisë Demokratike.

Procesi do të realizohet sipas afateve të mëposhtme:

1. Brenda datës 15 qershor 2020, Sekretari i Përgjithshëm të propozojë për miratim në Kryesi, udhëzimin përkatës për realizimin e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidatëve.

2. Procesi në nivel Dege për evidentimin/përzgjedhjen të realizohet në periudhën 20 qershor – 31 korrik 2020.

3. Brenda datës 1 gusht 2020 të ngrihet Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve pranë PDSH-së.

4. Procesi i seleksionimit të kandidaturave të realizohet në periudhën 1 gusht  – 30 gusht 2020.

5. Procesi i konsultimit të kandidatëve të realizohet në periudhën 1 shtator – 15 shtator 2020.