Bamir Topi: Meta garant i moskapjes së Kushtetutës, ‘Venecia’ i dha të drejtës

Ish-presidenti Bamir Topi mbështet qëndrimet e presidentit Ilir Meta në përplasjet me qeverinë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Në një intervistë për “ABC News”, Topi tha se mazhoranca ka hequr nga kushtetuta instrumentin e presidentit për të kërcënuar me dorëheqje në raste se shkelen ligjet.

“2008 mua më gjeti në një pozicion që nuk e kisha një vit më parë. Presidenti ka një instrument që nuk e pranon një lloj politike dhe kërkoj dorëheqje. Kjo do të thotë se mazhoranca rrëzohet. Ata i hoqën presidentit edhe atë të drejtë që të kërcënonte me dorëheqje. Edhe Meta është zgjedhur në këtë frymë. Presidenti si një akt të fundit i thotë mazhorancës mos e tepro në këtë politikë se do më çdo në dorëheqje. Meta e shikon veten si një president me mundësi të pakta. Ai mund të ketë nuanca të ligjërimeve politike që afrohen me opozitën. Meta është politikan, i ka pasur të gjitha karriget. Edhe presidenti përdor gjuhë politike kur të tjerë të vendosin me shpatulla pas murit”,- tha Topi.

Ish-Presidenti u shpreh se Komisioni i Venecias i dha të drejt kreut të shtetit dhe mazhoranca duhet të ishte tërhequr nga qëndrimet e saj.

“Kur Komisioni i Venecias i jep të drejtë presidentit duhet të kishte një tërheqje të maxhorancës. Meta është bërë garant i moskapjes së Gjykatës Kushtetuese. Pse duhet ne të presim vendimin e Strasburgut”, tha Topi.