‘Qeveria Hoti’/ Ambasada britanike përgëzon formimin paqësor të qeverisë së re në Kosovë

Ambasada britanike në Prishtinë ka përgëzuar formimin paqësor të qeverisë së re në Kosovë, si dhe ka uruar Avdullah Hotin për pozitën e kryeministrit.

Megjithatë, kjo ambasadë ka theksuar se qeveria e re do të ketë disa sfida përpara, teksa ka theksuar emergjencën shëndetësore të krijuar pas shpërthimit të koronavirusit të ri, raporton Rel.

“Është e rëndësishme që qeveria e re synon të krijojë konsensus dhe unitet përreth ndasive politike”, është thënë mes tjerash në reagim.

Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë Hoti me 61 vota për derisa vota e deputetit Shala po konsiderohet vendimtare për formimin e ekzekutivit të ri.

Qeveria e re e Kosovës është votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.